
Presidenti francez Francois Hollande do të udhëtojë së shpejti drejt Athinës për një vizitë zyrtare me ftesë të kryeministrit grek, Andonis Samaras.
Lajmi njoftohet nga televizioni grek Skai që citon burimet pranë zyrës së kryeministri helen. Në njoftim nuk përcaktohet data dhe as axhenda e takimeve, por thuhet se vizita do të ndodhë së shpejti.
Megjithatë ne qendër të diskutimeve pritet të jetë kriza greke dhe kërkesat e ndërkombëtarëve për kryerjen e reformave për të dalë prej saj.
Njoftimi i vizitës mbërrin pak ditë pas asaj të kancelares gjermane Angela Merkel që u prit me protesta e trazira në Athinë. Ndërkohë, kryeministri Samaras pritet të ketë një takim me Merkel ditën e premte pas përfundimit të samitit të Brukselit ku vendet e Eurozonës ranë dakort për dhënien e pushtetit BQE-së për mbikqyrje të bilanceve të bankave në të gjithë zonën e monedhës së përbashkët.
Marrëveshja u arrit pas orësh të gjatë bisedimesh mes Francës dhe Gjermanisë që sheshuan disa mospërputhje qendrimesh mbi kompetencat e kësaj strukture. Ratifikimi i saj nga vendet anëtare të Eurozonës prite të nisë nga 1 janari i 2013.
Bisedime Trojkë-Greqi për kontratat e punës
Kanë rinisur bisedimet mes Ministrisë greke të punës dhe përfaqësuesve të Trojkës për ndryshimin e ligjit për kontratat e punës në sektorin privat.
Sic njoftojnë mediat helene, palët po bisedojnë përmes internetit. Përfaqësuesit e huadhënësve ndërkombëtarë i kërkojnë Athinës shkurtimin me 50 përqind të kohës së pagës pas pushimit nga puna.
Kërkesa e tyre ka të bëjë me uljen në 3 muaj, nga 6 që është aktualisht, të kohës së pagesës për punonjës të pushuar për shkak të shkurtimeve në sektorin privat. Trojka kërkon gjithashtu që kjo masë të hyjë në fuqi në janar të 2012, dmth të ketë fuqi prapavepruese, që është refuzuar fillimisht nga pala greke që kërkon hyrjen në fuqi të saj në 1 janar të 2013.
Bisedimet mes palëve vazhdojnë, ndërsa kërkohet gjithashtu që të hiqen nga parashikimet ligjore kontratat 3-vjeçare të punës.
Top Channel