Numri dy i ambasadës gjermane në Beograd, Michael Hasenau ka propozuar modelin e dy Gjermanive për bashkëpunimin mes Serbisë dhe Kosovës.

Në një takim me gazetarët, Hasenau ka vlerësuar se nuk është e domosdoshme që Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës si parakusht për normalizimin e raporteve mes dy vendeve.

“Dy Gjermanitë nuk e kanë njohur për 20 vjet rresht njëra-tjetrën, por megjithatë ato janë ulur pranë njëra-tjetrës në OKB. Prandaj, edhe Kosova me Serbinë mund të ulen për të diskutuar raportet mes tyre, duke anashkaluar fillimisht çështjen e njohjes së pavarësisë”, ka thënë Hasenau.

Diplomati është shprehur se do të ishte mirë nëse dy vendet do të hapnin zyra në kryeqytetet përkatëse, të cilat nuk do të ishin në nivelin e ambasadave, por do të shërbenin si ura komunikimi.

Një ditë më parë, me 68 vota pro, 4 abstenim dhe 3 kundër, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Rezoluta ishte një propozim i Partisë Demokratike të Kosovës dhe në momentin e votimit të saj, të pranishëm në sallë ishin 98 deputetë të Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA