Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi ndodhet në një pozitë të vështirë
përsa i takon privatizimit të PTK-së, për shkak të personave VIP që janë
të interesuar për të.

Bëhet fjalë për ish-këshilltarin e ish-presidentit amerikan Bill Clinton, James Pardew, nga njëra anë dhe ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright, e konsideruar mike e Kosovës, nga ana tjetër.

Sipas një shkrimi të së përditshmes kosovare “Zëri”, Pardew po lobon që tenderin ta fitojë konsorciumi i kryesuar nga kompania “Avicena” dhe për këtë arsye ai ka zhvilluar takime sekrete me Thaçin.

Duke iu referuar një letërkëmbimi, gazeta shkruan se Thaçi u ka thënë lobuesve amerikanë se e ka shumë të vështirë të zgjedhë mes kompanive të Albright dhe Pardew.

Por sipas “Zërit”, fjalët e Thaçit janë vetëm lajka, pasi i dërguari i tij ka thënë se shqetësimi kryesor i kryeministrit është të mos tradhtojë ish-sekretaren e Shtetit.

Lobuesit, sipas letërkëmbimit, janë takuar edhe me presidenten Atifete Jahjaga, kreun e LDK-së Isa Mustafa, si dhe me zyrtar të AAK-së.

James Pardew gjatë periudhës 1999-2001 ka qenë këshilltar i presidentit të atëhershëm amerikan Bill Clinton, si dhe sekretar i Shtetit për Demokracinë në Ballkan.

Ndërsa ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright ka luajtur gjithashtu një rol të rëndësishëm në ndërhyrjen e NATO-s për të frenuar genocidin dhe spastrimin etnik serb në Kosovë.

Top Channel