Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek ka
deklaruar se veriu do të jetë pjesë e bisedimeve mes Serbisë dhe Kosovës
të ndërmjetësuara nga BE.

Por, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, ajo ka përjashtuar ndarjen si opsion dhe ka thënë se për këtë tashmë është dhënë një garanci nga Komisioni Evropian, që ka vënë në strategjinë për zgjerimin formulimin “integriteti territorial i Kosovës”.

”Sa i përket veriut, mendoj se ai do të shtrohet në tavolinë në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, nën ndërmjetësimin e BE-së. Kryeministrja e BE-së, siç e quaj unë zonjën Catherine Ashton, tashmë mund të marrë udhëheqjen e këtij proçesi”, ka thënë Lunaçek.

Eurodeputetja ka thënë se, është e qartë për BE-në se këto bisedime nuk kanë të bëjnë me ndarjen e Kosovës, pasi veriu është pjesë e territorit të saj. Por nga ana tjetër, ka nënvizuar ajo, ekziston kërkesa për Serbinë që të heqë dorë nga strukturat paralele të cilat i financon vetë.

“Natyrisht, Beogradi mund të japë para për strukturat arsimore e shëndetësore për serbët e Kosovës, por kjo duhet bërë në mënyrë transparente dhe në bashkëpunim me qeverinë në Prishtinë”, ka deklaruar Lunaçek.

Sipas saj, ky është një kusht për Serbinë që të nisë negociatat për anëtarësimin në BE, të cilin Beogradi duhet ta zbatojë, bashkë me marrëveshjet e arritura më herët, në veçanti atë për menaxhimin e integruar të kufijve.

Ndërsa përsa i takon Kosovës, raportuesja ka theksuar se edhe për të ekzistojnë kushte që duhen plotësuar për të arritur tek nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

“Sa i përket studimit të fizibilitetit dhe MSA-së, ekzistojnë kritere që duhet të përmbushen. Qeveria e Kosovës duhet t’iu afrohet më shumë serbëve në veri, siç ka bërë me serbët në jug”, ka thënë Lunaçek.

Top Channel