Me 68 vota pro, 4 abstenime dhe 3 kundër, Kuvendi i Kosovës miratoi rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

Rezoluta ishte një propozim i Partisë Demokratike të Kosovës dhe në momentin e votimit të saj, të pranishëm në sallë ishin 98 deputetë të Kuvendit.

“Rezoluta për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë parashikon normalizimin mes dy shteteve të pavarura dhe fqinje”, deklaroi Adem Grabovci kreu i grupit Parlamentar të PDK-së para hedhjes në votim.

Meqë integrimi në BE është interes i përbashkët, normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë mbetet qenësor për rajonin dhe ai mund të rregullohet në kuadrin e frymës së integrimeve euro-atlantike.

Ndërkohë, seanca nisi 60 minuta me vonesë pas kritikave të kreu të Kuvendit, Jakup Krasniqi ndaj qeverisë dhe Ministrit të Brendshëm për praninë e madhe të forcave të policisë në ambientet jashtë parlamentit.

“Kërkoj nga kabineti qeveritar, konkretisht nga Kryeministri dhe ministri i Brendshëm, që të mos i keqpërdorin ata djem dhe vajza, që janë për të mbrojtur demokracinë, jo për interesa private. Ky vend nuk ka nevojë për dhunë policore, as për forcë policore e as për shtet policor. Ky vend ka nevojë për drejtësi dhe drejtësinë nuk e bën Bajram Rexhepi, që dëshiron të burgosë edhe presidentin, edhe kryetarin e Parlamentit. Kush ia dha atij këtë të drejtë”, ka deklaruar Krasniqi.

Forcat e policisë i trembeshin protestave të Vetëvendosjes ndaj shtuan masat e sigurisë. Por kjo është kritikuar nga zoti Krasniqi i cili i bëri thirrje qeverisë dhe Ministrit të Brendshëm, Bajram Rexhepi të mos keqpërdorë djemtë dhe vajzat e policisë së Kosovës.

Krasniqi kërkoi largimin e forcave policore për t’i dhënë dritën jeshile nisjes së seancës. Fjala e tij u shoqërua me duartrokitje nga deputetë të pranishëm në sallë.

Top Channel