Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk e ka komentuar protestën e opozitës në dyert e qeverisë. Por gjatë mbledhjes së kabinetit të tij qeveitar, e cila u mbajt vetëm pak orë pas largimit të protestuesve nga rrethinat e qeverisë, Thaçi përshëndeti nënshkrimin e kontratës me konsorciumin “Kosovo Limak & Çalik Energy” për shitjen e Distribucionit dhe Furnizimit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës edhe një herë e mirëpret nënshkrimin e kësaj marrëveshje. Natyrisht, duke u shprehur e zotuar për respektimin e plotë në afate kohore të përgjegjegjësive që dalin nga kjo marrëveshje. Besoj që grupi ndërministror do ta përcjellë me përpikmëri dhe nga afër gjithë proçesin e implementimit të kësaj marrëveshjeje”, deklaroi Thaçi.

Mbledhja e qeverisë ka vijuar me marrjen e disa vendimeve. Me rastin e 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, qeveria e Kosovës ka miratuar emërtimin e Universitetit të Prishtinës me emrin e patriotit dhe ideologut të shtetit shqiptar, Hasan Prishtina, në shenjë respekti ndaj veprave të tij.

“Duke marrë parasysh se sivjet shënojmë 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe në muajt e ardhshëm kremtojmë 5-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës, mendoj se qeveria mirëpret këtë propozim, i cili është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet, por në të njëjtën kohë edhe ndërimit të personaliteteve kombëtare”, tha Thaçi.

Po ashtu, Biblioteka Kombëtare Universitare tashmë do të mbajë emrin e Pjetër Bogdanit. Instituti i Historisë do të quhet Ali Hadri, në respekt të historianit dhe akademikut shqiptar, tashmë të ndjerë.

Gjatë kësaj mbledhjeje u miratua edhe një projektligj përmes të cilit do të lirohen nga tatimi doganor lënda e parë për ambalazhe; konstruksione që përdoren për ndërtim dhe të një pjese të barnave që përdoren nga spitalet dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës. Sipas ministrit të Financave, Bedri Hamza, projektligji në fjalë është pjesë e strategjisë legjislative të Qeverisë së Kosovës.

Top Channel