
Ish-presidenti i Serbisë, Boris Tadiç ka deklaruar se deklaratat e Beogradit për ndarjen e Kosovës kanë sjellë formulimin “integriteti territorial i Kosovës” në strategjinë për zgjerimin të Komisionit Evropian.
Në një intervistë për “REL”, Tadiç ka nënvizuar se gjatë kohës së qeverisjes së tij nuk e ka lejuar një gjë të tillë dhe për rrjedhojë BE e ka vënë theksin vetëm tek marrëdhëniet fqinjësore me Kosovën.
“Nuk ka pasur asnjë formulim mbi respektimin e integritetit territorial, gjë kjo që çon tek pranimi i shtetit të ri. Jam tërësisht i sigurt se formulimi i KE-së është një reagim ndaj deklaratave pa takt të zyrtarëve tanë”, ka thënë Tadiç.
Aktualisht kryetar i Partisë Demokratike në opozitë, Tadiç është shprehur se parashikon një destabilitet politik në Serbi dhe se partia e tij do të rikthehet në pushtet pas një viti.
“Nuk ka asnjë dilemë se brenda qeverisë aktuale ka tensione, se ajo nuk po e lufton me seriozitet korrupsionin, por me një luftë që synon zhvendosjen e vëmendjes nga problemet thelbësore”, ka shtuar Tadiç.
Në raport-progresin për vendet e rajonit të publikuar më herët gjatë muajit, Komisioni Evropian i kërkonte Serbisë respektimin e integritetit territorial të Kosovës në këmbim të datës së nisjes së negociatave të anëtarësimit.
Kërkesa nuk u prit mirë nga faktori politik serb. Kryeministri Ivica Daçiç reagoi duke thënë se, do të kishte qenë më e ndërshme nëse Brukseli do t’i kishte kërkuar Beogradit direkt njohjen e Kosovës.
Top Channel