Partia Demokratike e Kosovës pret mbështetje të plotë të Kuvendit të Kosovës për pr/rezolutën për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, që do të votohet të enjten.

Kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci ka deklaruar se nuk sheh arsye përse pr/rezoluta të mos mbështetet, pasi ajo sipas tij është në interes të qytetarëve.

“Kam besim të plotë tek deputetët, tek arsyetimi i tyre, se këtë rezolutë ata do ta kalojnë dhe më pas, në të ardhmen, do të bisedohet për bisedimet me Serbinë, temat e tyre, si dhe kur dhe ku do të zhvillohen ato. Gjithçka do të kalojë nga Parlamenti i Kosovës dhe ne do të themi fjalën tonë”, ka thënë Grabovci.

I cituar nga “RTK”, Grabovci ka saktësuar më tej se rezoluta nënkupton stabilizimin e raporteve dhe i hap rrugë zgjidhjes së një seri kontestesh mes Kosovës dhe Serbisë.

Ndërsa nga radhët e LDK-së, Lutfi Haziri ka thënë po për “RTK” se qëndrimin për iniciativën e qeverisë për normalizimin e raporteve me Serbinë do ta japin nesër në Kuvend.

“Ne besojmë se Kuvendi është organi që mandaton dhe ratifikon gjithçka që lidhet me Kosovën në këto kushte dhe ne qëndrimin tonë do ta reflektojmë edhe me votë nëse ka nevojë”, ka deklaruar Haziri.

Haziri ka dhënë garancinë e tij se LDK do të kontribuojë që nisma e PDK-së të futet në “binarët” e duhur të Parlamentit dhe se nuk do të lejojë degjenerimin e seancës.

Top Channel