Një vjedhje spektakolare, njësoj si në filmat hollivudianë, është regjistruar në muzeun Kunsthal të Rotërdamit, në Holandë.
Lajmin e bën të ditur transmetuesi televiziv britanik Sky News, që citon burime pranë policisë holandeze, të cilat kanë konfirmuar grabitjen.
Sipas burimeve, objektet e vjedhura janë disa piktura, disa prej të cilave mbajnë firmat e piktorëve më prestigjozë të të gjitha kohërave.
Bëhet fjalë për dy piktura të Monet, një Picasso, një Matisse, si dhe disa të tjera autorët e të cilave nuk janë identifikuar.
Grabitja është kryer gjatë orëve të natës dhe pikturat e vjedhura kapin një vlerë të konsiderueshme, kanë deklaruar drejtuesit e policisë, të cilët nuk kanë dhënë shumë detaje për arsye hetimore.
Muzeu Kunsthal ka në ambjentet e tij një ekspozitë temporane me vepra të Van Gogh, Dali, Duchamp, Mondrian, etj. Disa media holandeze kanë raportuar lajme të pakonfirmuara se “Gruaja që Lexon” e Matisse është mes pikturave të vjedhura.
“Ka pasur një hyrje me forcë gjatë natës dhe janë marrë disa piktura që kapin një vlerë të konsiderueshme”, ka bërë të ditur zëdhënësja e policisë holandeze, Patricia Wessel.
Për momentin agjentët e policisë shkencore po mbikëqyrin ambjentet e muzeut, në përpjekje për të zbuluar mënyrën e hyrjes së hajdutëve.
Top Channel