
Kryeministri grek, Andonis Samaras është shprehur optimist rreth dhënies
së këstit të radhës së ndihmës nga ana e ndërkombëtarëve për Greqinë.
“Greqia do të ketë shumë shpejt këstin e radhës për të paguar borxhet e saj, për të rikapitalizuar bankat dhe për të rikthyer qarkullimin e parave në treg”, ka thënë Samaras.
Deklaratën në fjalë kreu i qeverisë helene e ka bërë mbrëmjen e së hënës në kongresin e organizuar nga “International Herald Tribune” në Athinë.
“Atëherë do të marrë fund frika e kthimit te dhrahmia. Për herë të parë në Greqi ekziston një konsensus i fortë popullor që mbështet reformat strukturale”, ka shtuar kryeministri.
Ai ka shtuar se qeveria e tij po përballet me një sfidë të madhe dhe po aplikon të gjitha masat për përmirësimin e konkurrencës, “pasi Greqia është një vend i pasur që nuk ka vlerësuar kurrë pasurinë e saj”.
Kësti i radhës kap vlerën e 31.5 miliardë eurove, një shumë kjo jetike që Athina zyrtare të vërë nën kontroll borxhin publik të saj që ka shkuar përtej çdo parashikimi.
Por negociatat mes qeverisë helene dhe kreditorëve ndërkombëtarë për të “mbyllur” paketën e shkurtimeve të bilancit për dyvjeçarin 2013-2014, sipas ministrit të Financave Yannis Stournaras, do të zgjasin më shumë nga sa mendohet.
Bisedimet, sipas tij, do të vazhdojnë edhe pas samitit evropian që do të zhvillohet më 18 tetor, ku diskutimet pritet të jenë jo pa replika e polemika.
Lidhur me krizën greke, shefja e FMN-së Christine Lagarde vlerësoi javën e kaluar se është e nevojshme që vendit t’i jepet një kohë shtesë prej 2 vjetësh, deri në 2016-ën, për të reduktuar defiçitin në linjë me kërkesat e Trojkës, BQE, BE dhe FMN.
“Është e nevojshme një kohë shtesë prej dy vjetësh që Greqia t’i bëjë ballë planit për rigjenerimin e financave të saj publike, që parashikon të çojë defiçitin në 2.1 për qind të GDP-së në vitin 2014 nga 7.3 për qind që është këtë vit”, deklarpo Lagarde.
Ndërsa kancelarja Angela Merkel deklaroi gjatë vizitës në Athinë se, Gjermania do të vazhdojë të mbështesë reformat në Greqi dhe mbetjen e vendit brenda Eurozonës.
”Gjermania do të vazhdojë të mbështesë fuqishëm mbetjen e Greqisë brenda Eurozonës. Është pozitive që Athina ka përshpejtuar reformat, në mënyrë që kjo situatë të përfundojë sa më shpejt”, tha Merkel.
Top Channel