
Pavarësisht mohimit nga Policia e Kosovës, shefi i Zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka thënë se ka udhëtuar në Kosovë për të marrë pjesë në hapjen e një zyre të kishës në Patriarkanën e Pejës.
Në një njoftim zyrtar të kësaj zyre, Vulin ka thënë se përkundër faktit që Prishtina e kërcënon me arrest, ai gjithmonë ka qenë dhe do të jetë me popullin e tij në Kosovë.
“Shteti i Serbisë gjithmonë ka qenë me popullin e tij dhe do të bëjë gjithçka për përmirësimin e jetës së komunitetit serb në krahinën jugore serbe”, ka thënë Vulin.
Gjatë qëndrimit të tij në Kosovë, Vulin ka thënë edhe për televizionin e Zveçanit, Tv Most, se Prishtina dëshiron të mbulojë problemet e saj me arrestimin e tij.
Vulin ka vizituar edhe Mitrovicën, ku është takuar me studentët e Universitetit të Prishtinës të instaluar përkohësisht në këtë zonë. Ai u ka thënë atyre se, Serbia nuk ka ndërmend t’i shpërbëjë strukturat e saj paralele në veri të Kosovës.
“Largimi i institucioneve serbe nuk është i mundur jo vetëm sepse një gjë e tillë bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet tona, por sepse ato janë të domosdoshme për banorët serbë këtu”, ka thënë Vulin.
Zyrtari serb ka përsëritur qëndrimin e qeverisë së Beogradit, se faktori ndërkombëtar duhet të kuptojë se strukturat serbe në veri të Kosovës janë në shërbim të banorëve.
Top Channel