Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, në mbledhjen e Komisionit Ndërministror për Integrime Evropiane, ka kërkuar nga ministrat që të kryejnë punët në plotësimin e kritereve që dalin nga Raporti i Studimit të Fizibilitetit.

Kryeministri ka kërkuar nga institucionet e drejtësisë që të bëjnë sa më shumë që është e mundur në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndërkohë ai ka ritheksuar se, Raporti i Studimit të Fizibilitetit ka konfirmuar se shteti i ri është i gatshëm të fillojë negociatat zyrtare për Marrëveshjen e Stabilizim-Acociimit, që përbën hapin e parë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Politika evropiane e qeverisë së Kosovës do të bazohet në tri shtylla kryesore: plotësimin në afat rekord të kritereve teknike për fillimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, vazhdimin e reformave kyçe evropiane të parapara me Studimin e Fizibilitetit, përkatësisht përgatitja e planit të veprimit për Studimin e Fizibilitetit 2012 dhe themelimin e strukturave negociuse dhe ekipeve teknike negociatore me BE-në”, ka deklaruar Thaçi.

Ndërsa ministrja e Integrimit, Vlora Çitaku është shprehur: “Publikimi i Studimit të Fizibilitetit dhe propozimi për fillimin e negociatave për MSA-në shënon një moment të ri në diagramin e konsolidimit rreth faktorizimit të pozitës ndërkombëtare të Kosovës, por edhe fillimin zyrtar të një rrugëtimi të gjatë për anëtarësim në Bashkim Evropian”.

Bazuar në rekomandimet e Studimit të Fizibilitetit deri më 17 tetor Ministria e Integrimeve pritet të formulojë objektivat e planit të veprimit për Studimin e Fizibilitetit.

Gjatë muajit dhjetor pritet të finalizohen të gjitha çështjet teknike të unifikimit te dokumentit final dhe përkthimi, me qëllim që në javën e fundit të dhjetorit të miratohet plani i veprimit për Studimin e Fizibilitetit. Pas miratimit të këtij plani, Ministria e Integrimit do të bëjë monitorimin e zbatimit të detyrimeve të institucioneve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA