Ministrat e Brendshëm të Belgjikës, Luksemburgut, Gjermanisë, Francës, Austrisë dhe Holandës, në një letër drejtuar Komisionit Evropian, shprehin shqetësim për fluksin e konsiderueshëm gjatë muajve të fundit të azilkërkuesve nga vende të Ballkanit, përfshirë Shqipërinë, që përfituan së fundmi nga liberalizimi i vizave.

“Në letër ata kërkojnë që në Këshillin e ardhshëm për çështjet e brendshme dhe drejtësinë, më 25 dhe 26 tetor, të diskutohet mbi raportin e tretë që Komisioni prezantoi së fundmi mbi vlerësimin e situatës së kësaj fushe dhe në vendet anëtare. Ata kërkojnë gjithashtu, sa më shpejt të jetë e mundur, një marrëveshje mbi kornizën mbrojtëse që do të mundësonte vënien e regjimit të vizave në të ardhmen, në rast problemesh dhe mangësish serioze. Pra në këtë fazë, për të qenë të qartë, Komisioni nuk ka marrë ende asnjë kërkesë të veçantë për rivendosjen e vizave në ato vende”, ka deklaruar Michele Cercone, zëdhënës i komisioneres për Çështjet e Brendshme.

Për fat dhe për momentin, mekanizmi ndëshkues ndodhet ende në fazën e diskutimit mes Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, por gjashtë ministrat kërkojnë miratimin e tij brenda fundit të vitit, gjë që i lë pak muaj kohë për të përmirësuar situatën pesë vendeve të Ballkanit që përfitojnë nga liberalizimi i vizave.

“Tani, sa i përket këndvështrimit të Komisionit, ne jemi ekstremisht të shqetësuar sepse situata është gjithnjë e më shumë shqetësuese. Siç e ka përsëritur shpesh komisionerja Malmstrom në lidhje me liberalizimin e vizave me Ballkanin, kjo është një arritje e madhe, një liri e madhe, por që vjen me përgjegjësi të mëdha. Ka ardhur me të vërtetë koha që vendet, autoritetet dhe qytetarët e tyre të dëshmojnë se mund t’i zbatojnë këto përgjegjësi”, ka theksuar Cercone.

Komisioni sqaron se situata paraqitet shqetësuese jo në lidhje me vende të veçanta, por me të gjitha vendet e rajonit. Këtë e ilustron shembulli i njërit prej vendeve ankuese, Belgjikës, ku sipas autoriteteve Shqipëria ia ka kaluar Serbisë gjatë nëntë muajve të fundit për numrin e azilkërkuesve, ndërsa Maqedonia nuk gjendet më në listën e 10 vendeve të para për vitin 2012.

Sipas Komisariatit të përgjithshëm belg për refugjatët dhe apatridët, Shqipëria renditet e teta këtë vit me 470 kërkesa deri në fund të muajit shtator. Ndërsa para saj nga rajoni qëndron vetëm Kosova, me 757 kërkesa, i vetmi vend ende i izoluar në Ballkan nga regjimi i vizave.

Daçiç: Do paguajmë shpenzimet e azilantëve

Ndërkohë, kryeministri serb Ivica Daçiç ka reaguar duke thënë se, Serbia
do të paguajë shpenzimet e 10 mijë azilantëve serbë që ndodhen në vende
të ndryshme të Evropës.

Daçiç u ka thënë gazetarëve se ky do të ishte një dëm më i vogël se sa
heqja e vizave për Serbinë që pas dhjetë ditësh do të jetë temë
diskutimi në Bashkimin Evropian.

Daçiç ka thënë se liberalizimi I vizave është efekti i parë konkret që
qytetarët kanë parë viteve të fundit dhe në rast të kundërt dëmi do të
ishte i madh.

“Nëse problemi i kthimit të tyre është material, atëherë ne jemi të
gatshëm t’i paguajmë këto shpenzime nga buxheti. Bëhet fjalë për disa
miliona euro”, ka thënë kryeministri serb. 

Fajon: BE drejt rivendosjes së vizave

Më herët ishte raportuesja e Parlamentit Evropian për liberalizimin e vizave, Tanja
Fajon që deklaroi se vendet anëtare të BE së shpejti do të mund të
vendosin individualisht për rivendosjen e regjimit të vizave për Serbinë
dhe Maqedoninë.

Fajon tha se vendet e BE-së nuk dëshirojnë rivendosjen e vizave, por bllokimin e fluksit të azilkërkuesve të rremë, raportoi “REL”.

Sipas saj, ky mekanizëm do të propozohet në takimin e 25 tetorit të ministrave të BE-së, me kërkesë të vendeve që kanë numrin më të madh të azilkërkuesve nga dy vendet e Ballkanit.

Top Channel