Fondet e IPA-s për vendet aspirante

15/10/2012 19:45

Statusi kandidat nuk do të jetë më kusht për qasjen e vendeve përfituese ndaj Instrumentit të Para-Anëtarësimit, IPA, që ofron Bashkimi Europian.

Bazuar në draftin e propozuar nga Komisioni, IPA e re që do të lindë pas negociatave mes Parlamentit Europian dhe Këshillit të BE-së për periudhën 2014-2020 dhe pritet t’i kushtëzojë fondet e BE-së jo më me statusin e një vendi, por me performancën e tij në reformat ku investon BE.

“Ajo që e dallon qartë nga IPA e mëparshme është se instrumenti do të bëhet shumë më i thjeshtë për t’u përdorur. Do të jetë shumë e lehtë për të kaluar fonde nga një politikë e caktuar në tjetrën. Do të përshtatet më shumë me nevojat e vendeve respektive. Dhe do të shtojë, sipas dëshirës së Parlamentit Europian, kritere shtesë për çështje që lidhen me të gjitha aspektet e zhvillimit social të vendeve”, ka deklaruar Kristian Vigenin, raportues për IPA-n në Parlamentin Evropian.

I pyetur nga Top Channel nëse sjell ndryshime IPA e re në lidhje me të paturit ose jo të statusit kandidat, Vigenin ka dhënë këtë përgjigje:

“Shumë faleminderit për këtë pyetje, sepse ky është një nga ndryshimet madhore nga IPA-ja aktuale, pasi çdo vend do të mund të përdorë fondet e IPA-s, pavarësisht statusit, në të gjithë komponentët, që tashmë do të quhen ‘fushat e politikave’. Kjo do të thotë që Shqipëria, e cila me shpresë do ta marrë shpejt statusin kandidat, por edhe nëse nuk e merr, ajo apo vende të tjera do të mund të përdorin të gjitha fondet e të gjitha fushave të përcaktuara të politikave”.

Me formulimin e ri, “komponentët” zëvendësohen me “fusha politikash” me fokus në: forcimin e demokracisë, sundimin e ligjit, gjyqësorin, administratën publike, median, të drejtat themelore, përfshirë të drejtat e punëtorëve, të minoriteteve, barazinë gjinore, etj.

Propozohet manovra e “vendimeve urgjente” të BE-së për “raste të jashtëzakonshme, si kriza, apo kur kërcënohet demokracia”, si dhe një çmim për vendin përfitues me performancën më të mirë në zbatimin e asistencës së BE-së.

“Ne propozojmë që në raport-progreset vjetore për vendet, të ketë një pjesë të veçantë tek çdo raport se cilat janë arritjet, apo se cili është rezultati i përdorimit të fondeve IPA. Për ne kjo ka një rëndësi të dyfishtë: në njërën anë për vetë vendin në mënyrë që të tregohet se paratë janë shpenzuar mirë dhe se ka rezultate, dhe në anën tjetër që këtë ta shohin dhe qytetarët europianë”, ka sqaruar Vigenin.

Për periudhën 2007-2013, BE ka ofruar 530 milionë euro, por Shqipëria ka përfituar vetëm në dy komponentët e parë: ndërtimin e institucioneve dhe bashkëpunimin ndërkufitar. Aksesi ndaj 3 komponentëve të tjerë të IPA-s aktuale do të bëhej i mundur, në rast të një vendimi pozitiv në dhjetor për statusin kandidat.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA