Në Mal të Zi u zhvilluan sot zgjedhjet parlamentare ku në garë ishin 13 subjekte politike, katër prej tyre parti shqiptare.

Ashtu si dhe vitet e kaluar pretendent kryesor është koalicioni “Mali Zi Europian” i Milo Gjukanovic që e drejton vendin prej 22 vitesh.

Ndërsa si gjithnjë partitë shqiptare duken të përcara në katër subjekte, duke rrezikuar seriozisht një përfaqësim minimal deri në 2 deputetë në parlamentin e Malit të Zi.

Qendrat e votimit në Mal të Zi u hapën në 8 të mengjesit dhe do qëndrojnë të hapura deri në orën 20:00. Zgjedhjet po vëzhgohen nga 66 vëzhgues të huaj.

Shqiptarët në Mal të Zi  do të votojnë për koalicionet “Për bashkim”, “Unionin demokratik shqiptar”, “Aleancën rinore”  dhe “Koalicionin shqiptar”.

Ligji i ri elektoral e disfavorizon faktorin shqiptar pasi duhet kaluar pragu 0,7 % që të fitohet një deputet ose e thënë ndryshe duhet që një subjekt të marrë 2600 vota. Në Mal të Zi ka 20 mijë votues shqiptarë, por zakonisht aty votojnë deri në 14 mijë prej tyre.

Kryetari i Unionit demokratik të shqiptarëve shprehet se përcarja e erdhi nga ambicjet politike të disa individëve. Ai shprehet se propozoi për një aleancë me partitë e tjera shqiptare para zgjedhjeve, ndërsa pas zgjedhjeve thotë se do jetë në koalicion me “Malin e Zi Europian” të Milo Gjukanovicit.

Ndërsa përfaqësuesi i koalicionit “Për Bashkim”, Genc Nimanbegu që është dhe i pari në listën zgjedhore të kësaj force shprehet se po hartohet një platformë që të shikohet mundësia e një koalicioni pas zgjedhor të të gjitha partive shqiptare.  

Mali i Zi me popullsi 650 mijë banorë ka 512 mijë votues,  45 % të popullsisë së Malit të Zi e përbëjnë, malazezët të cilët kanë dalë në këto zgjedhje me dy subjekte elektorale, ndërsa shqiptarët që përbëjnë 5% të popullsisë kanë dalë me katër.

Më kompaktët duken boshnjakët të cilët përbëjnë 15 % të popullsisë dhe kanë zbritur në zgjedhje vetëm me një subjekt elektoral, ndërsa serbët që përbëjnë 30 % të popullsisë kanë dalë në këto zgjedhje me katër subjekte elektorale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA