“Bashkohemi në Europë”, ka qenë kryefjala e të paktën katër fjalimeve që ka mbajtur kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, gjatë qëndrimit në Kosovë.

Zoti Berisha mbërriti në Gjakovë të premten paradite, ku pavarësisht shiut që binte, shumë qytetarë kishin dalë për ta pritur. Pas 10 minuta shëtitje në këmbë nëpër qytetin e Gjakovës, Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha kanë zbuluar bustin e Ali Ibër Nezaj, patriot i njohur që nga koha e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Nga Gjakova, Berisha ka vizituar varrezat e dëshmorëve në fshatin Gllogjan të Deçanit, dhe është ndalur më pas në Kuvendin e kësaj komune.
                
Pas Deçanit, Berisha i shoqëruar nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë marrë pjesë në manifestimin e organizuar në Isniq, në fshatin e prejardhjes të heroit të kombit, Isa Boletini.

“Apeli i këtyre burrave është frymëzues dhe i fuqishëm ndaj dhe sdo ndalemi para tyre që të punojmë cdo ditë, cdo javë, cdo muaj për bashkimin tonë përfundimtar në Europën e bashkuar për prosperitetin dhe të ardhmen tonë të ndritur”, tha Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë.

Me zbulimin e shtatores së heroit Isa Boletini, është përmbyllur edhe vizita e kryeministrit Berisha, e cila është e treta më radhë vetëm brenda këtij viti.

Prania e krerëve më të lartë të shtetit kosovar dhe kryeministrit shqiptar në rajonin e Dukagjinit është shoqëruar me masa të larta sigurie. Vihej re një prezencë e madhe e forcave policore të Kosovës, ndërkohë që sipas zëdhënësit të policisë Baki Kelani, përgjegjësinë për sigurinë dhe përcjelljen e delegacionit nga Tirana e ka pasur Policia e Kosovës, mirëpo me të janë edhe disa përcjellës të sigurimit të tij, të cilëve u është miratuar hyrja në bazë të procedurave ligjore që kërkohen paraprakisht.

I pyetur nëse bëhej fjalë pikërisht për pjesëtarë të Gardës së Republikës së Shqipërisë, zëdhënësi Kelani nuk pranoi të japë asnjë shpjegim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA