Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç do të jetë përfaqësuesi kryesor i
Beogradit në bisedimet me Prishtinën, që pritet të fillojnë së shpejti
në nivel politik.

Lajmin e bën të ditur e përditshmja serbe “Blic”, e cila iu referohet burimeve të afërta me kryeministrin serb.

Gazeta citon gjithashtu burime nga Brukseli, që thonë se rolin e ndërmjetësit në këtë proçes bisedimesh do ta luajë shefja e Politikës së Jashtme të BE, Catherine Ashton.

Pjesë e ekipit negociator serb do të jenë edhe disa ministra të qeverisë së Beogradit, të cilët do të zgjidhen në bazë të çështjeve që do të trajtohen në dialog.

Kështu, ministrja e Energjitikës, Zorana Mihajloviç ka njoftuar se do të marrë pjesë, duke qenë se çështja e energjitikës do të jetë pjesë e tij.

“Blic” shton më tej se zyra e baroneshës Ashton, ajo e Daçiç, Nikoliç dhe Thaçit në Kosovë janë në kontakte të vazhdueshme për të përcaktuar temat që do të diskutohen.

Top Channel