Departamenti amerikan i Thesarit ka konsideruar një bandë të dhunshme kriminale të përbërë nga emigrantë nga El Salvadori në Los Anxheles, si një “organizatë kriminale transnacionale”.
Vendimi në fjalë do t’u mundësojë autoriteteve të sekuestrojnë asetet e organizatës famëkeqe MS-13, që fiton miliona dollarë nga trafiku i drogës dhe aktivitete të tjera kriminale.
Autoritetet amerikane deklarojnë se sanksioni shpall ilegal çdo veprim që shtetasit apo bankat amerikane mund të bëjnë me anëtarët e saj.
Shumica e parave të fituara nga organizata kthehen në El Salvador, ku dhe ndodhet lidershipi i saj.
“Ky vendim na lejon të godasim në zemër të MS-13-ës”, ka deklaruar drejtori i Administratës së Doganave dhe Emigracionit, John Morton për agjencinë e lajmeve “AP”.
Kush është MS-13
MS-13, shkurtim i Mala Salvatrucha, ka mijëra anëtarë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Meksikë dhe Amerikën Qendrore.
Sipas Departamentit të Thesarit, ajo është një nga grupet kriminale më të rrezikshme dhe që po zgjerohet me hapa të shpejtë në të gjithë botën.
Ajo ka rreth 30 mijë anëtarë të përfshirë në vrasje, zhvatje, shantazhe, trafik droge dhe qëniesh njerëzore nga Alaska dhe Kanadaja për në Amerikën Qendrore.
Natyra kriminale e MS-13 duket edhe në moton e saj “Mata, roba, viola, controla”, që do të thotë “vrit, grabit, përdhuno dhe kontrollo”.
Bandat salvadoriane janë shumë të përfshira në trafikun e drogës, duke rivalizuar edhe kartelet më të fuqishme meksikane të narkotrafikut, si Los Zetas dhe Sinaloa.
Ashtu si dhe banda të tjera latine, anëtarët e MS-13, të njohur si “maras” ose “mareros”, e mbulojnë trupin me tatuazhe dhe përdorin shenja për të identifikuar njëri-tjetrin.
Top Channel