
Banka gjermane KFW paralajmëron Qeverinë Shqiptare të mos anulojë në
mënyrë të njëanshme tenderin e linjës energjetike me Kosovën pasi do të
tërhiqet menjëherë nga financimi i projektit.
Mosmarrëveshjet mes palëve kane lindur prej më shumë se një viti, kur Qeveria Shqiptare pas zhvillimit të tenderit për këtë projekt, tentoi të zëvendësonte fituesin për të shpallur fituese kompaninë e renditur e dyta.
Por ky veprim i qeverisë hasi në bllokadën e KFW-së. Që nga ajo kohë palët janë përfshirë në një konflikt, i dokumentuar përmes letërkëmbimeve të shumta mes Ministrisë së Financave dhe Bankës Gjermane. Në qershor të këtij viti banka i bëri të ditur qeverisë se do të pranonte anulimin e tenderit vetëm nëse plotësoheshin disa kushte, të cilat qeveria ka dështuar t’i përmbushe, siç tregon kjo letër zyrtare e me datë 18 shtator që zotërohet nga Top Channel.
“Duke shqyrtuar kërkesën tuaj për anulimin e tenderit në lotin 1 ne na vjen keq që na duhet të kundërshtojmë anulimin e tij. Kjo për shkak se agjencitë zbatuese kanë dështuar të japin arsyet e vlefshme për këtë anulim” – thuhet në letrën zyrtare të KFë.
Më tej banka gjermane parlajmëron se nëse Qeveria do të vendos anulimin e njëanshëm të tenderit kjo do të përbënte një shkelje të kontratës dhe në këtë pikë ajo rezervon të drejtën të tërhiqet nga financimi. Banka thotë se do të vazhdojë financimin e projektit, nëse Qeveria anulon tenderin për lotin një vetëm nëse përmbushen disa kushte.
Së pari tenderi i ri të ndahet në dy pjesë, ku një kontratë të mbulojë punimet në Shqipëri dhe tjetra ato në Kosovë. Kushti i dytë është që tenderi i ri të jetë në përputhje me procedurat e paracaktuara të bankës dhe të ndjekë të njëjtat standarde të larta teknike si ai i mëparshmi. Ndërsa kushti i fundit i vendosur është ai që qeveria shqiptare të pranojë rezultatet e tenderit të ri, i cili duhet të zhvillohet sipas standardeve të KFW-së. Saga e ndërtimit të linjës vazhdon prej më shumë se një viti. Tenderi për linjën u zhvillua në mars të vitit të kaluar, ku fituese rezultoi kompania kroate Dalekovod. Por Qeveria shqiptare e bllokoi fillimin e punimeve duke u shrehur se i çmimi i ofruar ishte rreth 8 milionë euro më i lartë se oferta e dyte duke kërkuar ritenderimin.
Top Channel