Vendimi për t’i dhënë Bashkimit Europian, Nobelin e sivjetshëm të paqes ka marrë unanimisht pëlqimin e anëtarëve të panelit të Nobelit, e ka qenë një surprize e vërtetë jo vetëm për analistët që prisnin fitoren e ndonje blogeri të pranveres arabe apo grupi aktivistesh rusë të të drejtave të njeriut, por edhe për vetë drejtuesit e bllokut.
Në arsyetimin e dhënies së çmimit prestigjoz, komiteti thotë se BE-ja ndihmoi në transformimin e Europës nga një “kontinent lufte në një kontinent paqeje”.
Vlerësimi i lartë vjen në kohen kur Bashkimi Europian përballet me krizën me të thellë të të gjithë historise së tij, recesionin dhe trazirat sociale qe kane tronditur shumë nga vendet anetare.
Duke u fokusuar në aktivitetet e BE-së, komiteti i Nobelit foli për rolin pajtues pas dy Luftrave Botërore, përmendi integrimin e vendeve të ish-bllokut komunist si dhe punën e bërë për stabilitetin në Ballkan.
Por, në asnjë moment, sipas “BBC”, nuk flitet për dështimin e diplomacisë në Bruksel e gjetke dhe faktin që pak u bë për të parandaluar që në fillimin shpërthimin e konflikteve në rajon.
Krerët e BE-së përshëndesin vlerësimin
Nga Helsinki, Brukseli e Vjena, tre krerët e institucioneve kryesore europiane përshëndetën vlerësimin e Bashkimit Europian me Çmimin Nobel të Paqes për vitin 2012.
”Është një nder i pamatë për Bashkimin Europian vlerësimi me Çmimin Nobel të Paqes 2012. Ky Çmim është njohja më e fortë e mundshme e motiveve të thella politike pas Bashkimit tonë : Përpjekja unike nga edhe më shumë vendeve europiane për të kapërcyer luftën dhe ndarjet dhe për të ndërtuar sëbashku një kontinent paqeje dhe prosperiteti”, deklaroi Herman van Rompuy, presidenti i Këshillit të Bashkimit Europian.
Për Presidentin e Komisionit, ky është mesazhi i duhur në kohë të vështira. “Duhet të them se kur u zgjova këtë mëngjes nuk prisja të ishte një ditë kaq e mirë. Vlerësimi i sotëm nga Komiteti i Çmimit Nobel tregon se edhe në këto kohë të vështira Bashkimi Europian mbetet një frymëzim për vende dhe njerëz në të gjithë botën dhe se Komuniteti Ndërkombëtar ka nevojë për një Bashkim Europian të fortë. Komiteti i Çmimit Nobel dhe Komuniteti Ndërkombëtar po dërgojnë sot një mesazh shumë të rëndësishëm, se Bashkimi Europian është diçka shumë e çmuar, të cilën duhet ta forcojmë të gjithë, për të mirën e europianëve dhe vërtet për të mirën e gjithë botës”, vlerësoi Jose Manuel Barroso, Presidenti i KE-së.
Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Europian, ia dedikon këtë vlerësim të gjithë qytetarëve europianë, me theks tek vlerat dhe parimet e BE-së. “Është një nder i madh që BE fitoi çminin Nobel të Paqes të këtij viti. Ky Çmim Nobel i Paqes është për të gjithë qytetarët europianë. BE ka ribashkuar kontinentin me mjete paqësore duke bërë bashkë super-armiq. Vlerat e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, sundimit të ligjit dhe respektit për të drejtat e njeriut janë absolutisht thelbësore për Bashkimin Europian”, tha Martin Schulz, Presidenti i Parlamentit Europian.
Ky vlerësim për BE-në u përgëzua edhe nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen, i cili kujtoi me këtë rast se dy organizatat ndajnë, përveç shumicës së vendeve anëtare, të njëjtat vlera në ndërtimin europian.
Përgatiti: Arta TOZAJ, Bruksel
Top Channel