
Në Meksikë vijon misteri mbi vendndodhjen e trupit të pajetë të Heriberto Lazcano, bosi i kartelit kriminal Los Zetas, që u vodh nga morgu i policisë pak ditë më parë.
Persona të maskuar hynë në morg dhe morën kufomën dhe vetëm atëherë duket se autoritetet e kuptuan se kishin vrarë bosin e madh dhe jo një trafikant të thjeshtë.
Kjo, pasi fillimisht autoritetet policore nuk kishin prova që të vërtetonin se trupi i përkiste kreut të kartelit famëkeq të Meksikës.
Një teori që qarkullon ditët e fundit është se kufoma e Lazcano mund të jetë vjedhur me urdhër të liderit tjetër të organizatës, Miguel Trevino, i njohur ndryshe me nofkën Z40.
Mes dy liderëve kishte nisur një luftë e përgjakshme për kontrollin e kartelit, që ishte karakterizuar nga vrasje, rrëmbime e tortura.
Nuk dihet se çfarë duan të bëjnë me trupin e Lazcano, ndoshta do ta varrosin në një vend sekret, ose do t’i dorëzohet familjarëve për një varrim privat. Por zhdukja e kufomës nuk është vetëm një detaj.
Shumë në zonat përreth mendojnë se bosi nuk ka vdekur dhe se bëhet fjalë vetëm për një inskenim për të mbrojtur një kriminel që ka vendosur të bashkëpunojë me drejtësinë. Gjetja e trupit do të zgjidhte të paktën një pjesë të misterit.
Top Channel