Departamenti Amerikan i Shtetit deklaroi të premten se një marrëveshje afatgjatë me Rusinë për çarmatosjen dhe reduktimin e arsenalit bërthamor mbetet në fuqi, pavarësisht se një media ruse raportoi gjatë javës për të kundërtën.
Megjithatë, sipas “CNN”, një zyrtar “i mirëinformuar” rus deklaroi se Moska nuk ka ndërmend që të zgjasë marrëveshjen, pasi ajo të skadojë, duke dëmtuar dukshëm bashkëpunimin në këtë fushë midis shteteve në të ardhmen.
Marrëveshja për reduktimin e armëve bërthamore, e cila ka kushtuar shtatë miliardë dollarë në dy vitet e fundit, financuar kryesisht nga SHBA, ka sjellë çaktivizimin e 7 500 mbushjeve bërthamore nga të dy shtetet.
Njëkohësisht, ajo ka ndihmuar në rritjen e masave të sigurisë në magazinat ushtarake ruse, në neutralizimin e armëve kimike, ruajtjen e materialeve të paqëndrueshëm dhe shpërbërjen e armëve biologjike.
”Jemi ende në bashkëbisedime”, deklaroi zëdhënësja e Departamentit, Victoria Nuland, përpara gazetarëve në Uashington.
”Qeveria amerikane e vlerëson shumë programin e çarmatimit dhe besojmë se kemi ende shumë baza, mbi të cilat SHBA dhe Rusia mund të punojnë së bashku, përfshi bashkëpunimin në raportet me vendet e treta”.
Top Channel