Abuzoi seksualisht me një nxënës që mori në kujdestari, arrestohet mësuesja 49-vjeçare në Florida
Studentë dhe profesorë në Itali protestuan të premten në 90 qytete të vendit kundër shkurtimeve të fondeve për arsimin të planifikuar nga kryeministri Mario Monti. Parulla e përdorur ishte “Të mbrojmë të ardhmen”.
Në Romë protesta nisi me një tubim të studentëve përpara selisë së Parlamentit Evropian, që u pasua nga një marshim i përbashkët me profesorët në rrugët kryesore të kryeqytetit. Në tërësi, sipas organizatorëve të manifestimit, të pranishëm ishin rreth 90 mijë vetë.

Në Milano qindra persona iu përgjigjën takimit të thirrur nga sindikatat studentore për gjimnazet dhe universitetet. Një grup prej 30 vetësh grisi flamurin e rajonit të Lombardisë dhe hodhi shashka tymi ndaj selisë së qeverisë lokale.

Ndërkohë në qytetin e Napolit u organizuan dy tubime, me pjesëmarrësit që marshuan nën reshjet e shiut.
Ndërsa në Firence rreth 2 mijë persona, studentë, profesorë dhe të papunë të ardhur nga i gjithë rajoni i Toskanës, u mblodhën në qendër të qytetit, duke formuar edhe një zinxhir njerëzor.

Protesta u zhvilluan edhe në qytete të tjera si Torino, Kaliari, Bari, si dhe në Siçili, kryesisht në Palermo, ku u mblodhën rreth 2 mijë vetë.
Top Channel