Raporti borxh publik-GDP në ekonomitë e avancuara të botës ka arritur nivelin më të lartë që prej Luftës së Dytë Botërore.
Kështu ka deklaruar drejtoresha ekzekutive e FMN-së, Christinë Lagarde, duke hapur asamblenë e Fondit që po zhvillohet në Tokio.
“Ndoshta pengesa më e madhe e rritjes ekonomike do të jetë borxhi i rënduar publik në ekonomitë e avancuara, që llogaritet të ketë arritur në 110 për qind”, ka thënë Lagarde.
Ndërkohë, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Ndërkombëtare të Punës, Guy Ryder, i pranishëm në asamble, ka vënë në dukje se numri i të papunëve në botë për shkak të krizës është rritur me 30 milionë.
Ryder ka riafirmuar në një raport që do të diskutohet të shtunën e që tregon se si 75 milionë të papunë nga 200 milionë në tërësi janë kryesisht të rinj nën moshën 25-vjeçare.
Sipas Ryder, masat anti-krizë të marra në vende të ndryshme të botës kanë pasur efekte më të forta nga parashikimet dhe tani 900 milionë të punësuar kanë një nivel të ardhurash që është nën kuotën e varfërisë.
Top Channel