Lideri i lëvizjes militante shiite libanze, “Hezbollahut”, konfirmoi se ishte organizata e tij ajo që lëshoi një avion pa pilot, të rrëzuar nga Izraeli gjatë kësaj jave.
Sheiku Hassan Nasrallah deklaroi në televizionin “Al-Manar” se avioni ishte prodhuar në Iran dhe se ai kishte fluturuar mbi “zona të ndjeshme” në Izrael.
Gjatë javës, gjuajtës izraelitë rrëzuan “dronin” mbi shkretërirën e Negevit, pasi hyri në mënyrë të pautorizuar në hapësirën ajrore të Izraelit nga Deti Mesdhe.
”Një mjet i sofistikuar zbulimi u dërgua nga territori libanez mbi Izrael gjatë javës. Ai fluturoi për qindra kilometra, përpara se të kalonte mbi linjat e armikut në Palestinën e pushtuar”, deklaroi Nasrallah.
Deklarata e tij përbën interes edhe për faktin se njëkohësisht është një pranim unik i aktivitetit të Iranit, në dëm të shtetit hebre.
Duke iu referuar një tjetër avioni të telekomanduar të nisur nga “Hezbollah”-u në vitin 2006, sheiku deklaroi: “Nuk është hera e parë dhe nuk do të jetë as e fundit. Ne jemi në gjendje të godasim të gjithë territorin e Izraelit”.
Një organizatë fondamentaliste, “Hezbollah”-u konsiderohet si një njësi terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Europian dhe Izraeli.
Top Channel