Ulja e avionit, Rusia i kërkon shpjegime Turqisë

11/10/2012 16:00

Moska reagoi në mënyrë të ashpër ndaj autoriteteve turke, për detyrimin “e paligjshëm” të uljes gjatë së mërkurë të një avioni civil që po fluturonte drejt Sirisë.

Gjuajtës ushtarakë turq detyruan avionin civil me 35 udhëtarë që të kryente një ulje të detyruar në një aeroport pranë Ankarasë, pasi dyshohej se në bordin e avionit po transportoheshin armë.

Burime zyrtare turke saktësuan se inspektimi i detajuar i avionit, që më pas u lejua të vazhdonte rrugën e tij, tregoi se në të vërtetë kishte “një ngarkesë ilegale”, por pa saktësuar përmbajtjen e saj.

Megjithatë, Rusia dhe Siria i kanë hedhur poshtë këto pretendime, me Damaskun që akuzoi Turqinë për “pirateri” dhe shkelje të ligjeve ndërkombëtare.

”Veprimet e Turqisë vendosën në rrezik jetën dhe sigurinë e udhëtarëve, midis të cilëve edhe 18 shtetas rusë. Moska është e vendosur në kërkimin e shpjegimeve që justifikojnë këtë veprim të autoriteteve turke”, deklaroi të enjten zëdhënësi i Kremlinit, Alexander Lukashevich.

Pavarësisht presionit rus, në një deklaratë paralele, ministri i Jashtëm i Turqisë, Ahmet Devutoglu, deklaroi se hetimet do të vazhdojnë për ngarkesat që transportojnë avionët drejt Sirisë, që fluturojnë mbi ajrore territoriale turke.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA