Turqi, ngarkesë ilegale në avionin sirian

11/10/2012 00:00

Avioni civil sirian që u detyrua të ulej në Turqi po transportonte “ngarkesë ilegale”, ka deklaruar ministri i Jashtëm turk.

Ahmet Davutoglu deklaroi se materiale “të palejueshme” janë konfiskuar në mjetin fluturues para se ai të lejohej të largohej.

Ditën e mërkurë avionë ushtarakë turq u dërguan për të interceptuar avionin civil, që ishte në itinerarin Moskë-Damask, për shkak të zërave se mund të përmbante pajisje ushtarake.

Tensionet mes Turqisë dhe Sirisë kanë qenë të larta që kur 5 civilë turq u vranë javën e kaluar nga goditjet me mortaja.

Si përgjigje, Turqia qëlloi ndaj Sirisë për herë të parë që nga nisja e protestave kundër presidentit Bashar al Assad vitin e kaluar.

Ministri Davutoglu nuk saktësoi nëse në avion ishin gjetur armë gjatë kontrollit që zgjati rreth një orë. “Kishte një ngarkesë ilegale në atë avion që duhet të tërhiqej”, tha shefi i diplomacisë turke për agjencinë e lajmeve “Anatolia”.

Por raporte të pakonfirmuara në mediat turke sugjeronin se ngarkesa e sekuestruar përmban kuti me pajisje komunikimi ushtarake.

Të njëjtat burime shtojnë se avioni kishte rreth 30 pasagjerë në bord, shumë më pak se kapacitetet e tij për 180 pasagjerë.

Ministri i Jashtëm tha se autoritetet do të vazhdojnë të hetojnë avionët civilë sirianë që fluturojnë mbi hapësirën ajrore turke.

Ndërsa autoritetet ruse deklaruan se ambasada e tyre në Ankara i ka kërkuar autoriteteve turke sqarime për këtë veprim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA