Shpërnguljet e detyruara në Kinë janë rritur në mënyrë drastike në vitet e fundit, ndërsa autoritetet i japin përparësi zhvillimit të biznesit, pa llogaritur të drejtat e banorëve vendas.
Alarmi u dha ditën e enjte nga “Amnesty International”, që i konsideroi shpërnguljet e detyruara si një prej “shkeljeve më të rënda” të të drejtave të njeriut.
Edhe më shqetësues, është fakti se presioni nën të cilin vendosen zyrtarët vendas për të arritur norma ekonomike të imponuara nga qeveria qendrore, e bën edhe më të vështirë konsiderimin e nevojave të banorëve të shpronësuar.
Si rrjedhojë e kësaj praktike të gjithëpërhapur, protesta të shumta janë realizuar në shumë krahina të ndryshme të Kinës, shumë prej të cilave janë shtypur me ashpërsi prej autoriteteve.
Në bazë të kushtetutës, e gjithë toka në Kinë i përket shtetit, ndërsa pushteti lokal ka në dorë të caktojë zona të ndryshme për zhvillimin ekonomik dhe industrializim.
Disa vite më parë, pothuajse tre milionë banorë u zhvendosën pas ndërtimit të hidrocentralit më të madh në botë, në Kinën qendrore, ndërsa me dhjetëra mijëra banorë u detyruan me dhunë të largoheshin nga banesat e tyre në Pekin, pasi në atë zonë u ndërtuan komplekset olimpike që pritën Lojrat e viit 2008.
Top Channel