Prania e fëmijëve në propagandën zgjedhore

09/10/2012 17:05

Janë betejat që zhurmojnë jetën publike shqiptare, prej ’90-ës e këtej. Fushatat elektorale nisën të marrin jetë me vendosjen e sistemit pluralist në Shqipëri. Në garë për të marrë drejtimin politik, partitë rishtaz zhvillonin beteja që më së shumti përbëheshin dhe përbëhen nga “sulme” verbale ndaj njëra-tjetrës.

Si fillim, pa përvojë në shfrytëzimin e imazhit në fushata, sot këto gara kanë evoluar në një spektakël që ka elementet e tij përbërës dhe propagandistikë.

Cdo dy vjet përsëritet i njëjti skenar. Mësymje për të ndikuar votën popullore me të gjitha mjetet e mënyrat publicitare e mediatike. Njëri prej tyre është edhe imazhi i fëmijëve.

Sfidat politike në Shqipëri nuk lënë pa përfshirë në vorbullën e tyre as më të vegjlit e popullatës, të cilët ligjërisht supozohej të ishin jashtë këtij procesi. Por edhe pse shumë larg në kohë për të qenë titullarë të ushtrimit të së drejtës kushtetuese të votës, fëmijët i gjen të pranishëm kryesisht në sfond, por ndonjëherë edhe si protagonistë të betejave elektorale.

Nga natyra dhe mosha ata janë larg atij realiteti konkurues dhe shpesh plot kulisa të sfidave politike, por pikërisht për shkak të pastërtisë dhe imazhit ëngjëllor, të gjithë garuesit i duan në krah. U duket sikur nëse publiku do ta lidhë imazhin e tyre me atë të fëmijëve, ata befas do të pastrohen nga balta që mbajnë prej vitesh. Por ndoshta harrojnë se pikërisht në një kontekst të tillë, pra pranë fëmijëve shpirtpastër, imazhi  tyre nxin më shumë.

Politikanët bëjnë jo vetëm premtime madhore për ta, por edhe në praninë e tyre në tribuna përkrah liderësh të tjerë. Madje fëmijët në shumë raste përdoren për të populluar tubimet elektorale, pra si element “mbushës”.

E së fundi po shfrytëzohen jo vetëm fëmijët, por edhe vatrat e dijes, pra shkollat për propaganda, premtime, sharje kundërshtarësh, lypje votash. Duke përfituar nga ndonjë inagurim i radhës apo ditë e shënuar kalendarike, vizitat e politikës në institucionet e edukimit janë kthyer në rutinë dhe institucionet e dijes janë shndërruar në strehën e predikimit të politikës, të mesazheve partiake apo personale që ligjërisht dhe moralisht bien ndesh me paanësinë dhe shenjtërinë e altarit të dijes.

Politikanët në botë dhe fëmijët

Imazhi i fëmijëve ka qenë gjithmonë i dëshirueshëm dhe i lakmueshëm si mjet propagandistik për racën e politikanëve, sundimtarëve, satrapëve, diktatorëve në të gjitha kohërat.

Pra sigurisht që nuk është një tendencë e re. Përdorimi i fëmijëve sjell gjithmonë një reagim të fortë nga njerëzit për shkak të komponentit emocional. Në raste të tilla bota nuk ndahet as në breza kohorë, as në lindje-perëndim apo jug e veri sepse për të gjithë pushtetdashësit e pushtetlypësit “mjeti” fëmijë përdoret sipas nevojës. 

Mund të fillojmë me SHBA-në dhe reklamën e famshme elektorale dhe shumë të përfolur të Lindon Jonson që u quajt edhe rast “Daisy”, reklamë që u transmetua vetëm një herë, por që mendohet se pati rol kryesor në fitoren e Jonson kundër Barry Goldwater. Por daljet publike të politikanëve dhe takimet e tyre nëpër mitingje, tribuna e vende të tjera me fëmijët janë pjesë e pandarë e fushatave. Ish-diktatorët e Evropës Lindore e pëlqenin shumë shfaqjen përkrah fëmijëve.

Kemi Causheskun dhe bashkëshorten e tij Jelena që shfaqeshin tribunave me fëmijë, edhe pse uria dhe shtrëngesa ekonomike mori shumë jetë të miturish gjatë sundimit të tyre. Edhe Stalinit i pëlqente që në tribunë të kishte pioniere bukuroshe si trofe të fitoreve të ardhshme.

Enver Hoxha
nuk bën gjithashtu dallim nga kolegët e tij. Maoja në Kinën e largët e pastronte kultin e tij gjithashtu me imazhin e pafajshëm të kinezëve të vegjël. Kështu me radhë mund të përmednim Kastron e Kubës, apo edhe ish-diktatorët e Amerikës Latine. Por fëmijët i shohim edhe në fushatat e sotme në atë që quhet perëndimi i botës. Obama dhe Romney nuk bëjnë dallim kur betohen se politikat e tyre janë për të siguruar të ardhmen e fëmijëve apo të kulluara si shpirti i tyre.

Putini gjithashtu i ka për zemër, por edhe lidershipi i Kinës aktuale. Të përdorësh fëmijët si mjet elektoral, si një produkt pastrues e tonifikues i figurave politike, apo si arsye e objektiv i politikave të caktuara nuk është as fenomen i ri, e aq më pak shqiptar. Cështja është se kur u duhet thënë përdoruesve politikanë: mjaft.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA