Një studim kritik mbi rolin e ndërkombëtarëve në Shqipëri, me titull “Urë mbi ujëra të turbullt”, vlerëson se vendi është kthyer në një “stabilokraci”, një lloj sistemi që ofron stabilitet jashtë vendit, por që brenda tij luhatet mes demokracisë dhe tendencave autokrate.
I bashkë-përgatitur nga tre qendra e fondacione me seli në Bullgari, Gjermani dhe Amerikë, studimi analizon disa prej ngjarjeve më të rëndësishme në vend, duke nisur nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.
“Në përgjithësi, komuniteti ndërkombëtar lavdëroi ndryshimet si arritje thelbësore, pasi ato u bënë me “konsensus” mes forcave kryesore politike, dhe pretendoi se konsensusi i dha fund ngërçeve dhe luftës politike mes rivalëve Berisha dhe Rama. Mirëpo ndryshimet kushtetuese i shtruan rrugën një konsolidimi të thellë të kontrollit të shtetit dhe madje kapjes së shtetit nga elita qeverisëse. Ndërkombëtarët ndihmuan kështu konsolidimin e “stabilokracisë” në Shqipëri, e cila ofron stabilitet jashtë vendit, ndërsa brenda tij luhatet mes demokracisë dhe tendencave autokrate”, thotë studimi.
Në raport analizohen me detaje, ndër të tjera, rastet “Basha”, “Gërdeci” dhe “21 Janari”, për të treguar se Shqipëria ndodhet nën kontrollin e elitave në fuqi, nëpërmjet përdorimit vetiak të ligjeve dhe proçedurave jodemokratike.
“Në vend të konsolidimit të demokracisë, Shqipëria ka përjetuar një spostim drejt një ushtrimi kontrolli gati të plotë nga elita qeverisëse, si dhe një përdorimi gjithëpërfshirës të proçedurave jodemokratike, ku ligjet përdoren për të ushtruar kontroll nga elitat në fuqi. Nuk bëhet fjalë vetëm për problemin e dallimit mes ‘letrës dhe frymës’, apo ‘proçesit dhe vlerave të ligjeve’, por gjithashtu për keqpërdorimin e ligjeve dhe institucioneve për qëllime vetiake politike dhe individuale. Sundimi i ligjit është i një rëndësie thelbësore, por Shqipëria shënoi hapa pas në këtë fushë dhe për aktorët ndërkombëtarë u duk të ishte e vështirë që të gjenin përgjigjet e duhura ndaj abuzimit me institucionet dhe procedurat”, thotë më tej studimi.
Studimi përfshin rreth 18 rekomandime ndaj komunitetit ndërkombëtar, ndër të tjera, edhe për zgjedhjet e vitit 2013. Një vëmendje e veçantë i kushtohet edhe referendumit mbi plehrat, të kërkuar nga mbi 60 mijë qytetarë.
“Ndërkombëtarët duhet të përcaktojnë qartë vijat e kuqe para zgjedhjeve të vitit 2013, në mënyrë që t’i japin fund çfarëdolloj ripërcaktimi të “suksesit”, si dhe modës së fshehjes pas formulave të tipit “ka progres por mbeten parregullsi”, e përdorur vazhdimisht nga përfaqësuesit ndërkombtarë dhe nga politikanët shqiptarë në të kaluarën. Duhet të bëhet e qartë se çdo dështim i rëndë për të zhvilluar zgjedhje të lira dhe të ndershme do të ketë pasoja domethënëse për integrimin dhe imazhin e Shqipërisë. Duhet të vijojë Treshja jozyrtare e BE-së, OSBE-së dhe SHBA-ve dhe për këtë ata duhet të përmirësojnë edhe më tej koordinimin dhe bashkëpunimin”, thotë studimi për zgjedhjet.
Ndërsa për plehrat ai vlerëson: “Intelektualë dhe ish-politikanë të vendit mbështetën Aleancën kundër importit të mbetjeve, përfshirë ish-presidentin Alfred Moisiu, shkrimtarin Fatos Lubonja dhe aktivistë të shoqërisë civile dhe të mjedisit, në thirrjen për një referendum mbarëkombëtar për këtë çështje. Është tragjikomike që ministri i Mjedisit, i njëjti ministër përgjegjës për tragjedinë e Gërdecit, garanton se ‘asgjë s’do të ndodhë’ me importimin e mbetjeve”.
Studimi prej 55 faqesh është prezantuar në Bruksel edhe para përfaqësuesve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, të Komisionit Evropian dhe të qeverisë shqiptare.
Top Channel