Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Shqipëria mund të thyejë kufirin ligjor të borxhit publik që këtë vit. Në raportin e vlerësimit pas vizitës së misionit në Shqipëri, FMN thotë se, kufiri prej 60 për qindë mund të tejkalohet që në 2012 dhe pasi të kalojë këtë limit nuk pritet që të qëndrojë i lartë dhe në periudhë afatmesme.
Fondi thotë se ky nivel borxhi përveçse rrit rreziqet për Shqipërinë mund të fillojë të cënoje rritjen ekonomike duke ngushtuar hapësirat për kreditimin e sektorit privat dhe paralizuar qeverinë në financimin e investimeve të domosdoshme.
Në këtë situatë ekspertët e FMN i rekomandojnë qeverisë së pari të heqë dorë nga stimuli fiskal, pra një rritje e shpenzimeve të saj për të ndihmuar rritjen ekonomike, pasi sipas tyre kjo nuk do të ishte zgjidhja.
Në vend të stimulit, FMN mendon se mënyra më e mirë për të mbështetur ekonominë do të ishte konsolidimi fiskal, i cili duhet të nisë fillimisht me ndaljen e kurbës në rritje të borxhit publik që në vitin e ardhshëm, ku qeveria duhet të mbajë të njëtin nivel të borxhit si ai i këtij viti.
Sipas fondit, kjo do të ishte masa e parë, e cila duhet të pasohet nga një sërë refromash të tjera për rritjen e taksave dhe uljen e shpenzimeve.
FMN thotë se rritja e të ardhurave që duhet për të ndalur borxhin nuk mund të vijë vetëm nga mirëadministrimi dhe mund të kërkojë rritjen e disa taksave, përfshirë edhe ato mbi të ardhurat.
Nga krahu i shpenzimeve FMN i rekomandon qeverisë që rritja e pagave dhe pensioneve të jetë vetëm sa për të kompesuar inflacionin.
Ndërsa një tjetër masë që sipas saj do të ulte rrezikun e financave publike është ajo e dhënies fund të miratimit të buxheteve optimiste, çka do të shmangte fenomenin e faturave të papaguara të qeverisë.
Top Channel