Në kohën kur në Shqipëri vijon greva e ish-të burgosurve politikë, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës në Strasburg miratoi me 100 vota pro, 64 kundër dhe 12 abstenime, rezolutën për përkufizimin e “të burgosurit politik”.
Kundër kësaj rezolute lobonin Rusia, Azerbajxhani, Turqia e Spanja. Delegacioni shqiptar, i përfaqësuar nga deputetët Kastriot Islami, Lajla Përnaska dhe Shpëtim Idrizi, votoi kundër rezolutës në përgjithësi dhe në mbështetje të Azerbajxhanit, pro amendamentit që kundërshtone qëndrimin bazë të Asamblesë.
“Raporti për përkufizimin e të burgosurve politikë ishte shumë i thjesht në fakt. Ai përmbante vetëm tre paragrafe ku jepej përkufizimi i “të burgosurit politik”, e ku thuhej se në cilat rrethana për shembull nga ky status mund të përjashtohen terroristët, duke bërë thirrje ndaj të gjitha vendeve anëtare të ndjekin këtë përkufizim”, deklaroi Mailis Reps, anëtare e komisionit të ligjeve dhe të drejtave të njeriut, PACE.
“Amendamenti “magjik”, amendamenti numër 2, minonte të gjithë institucionin e Këshillit të Evropës, pasi aty thuhej se u takon vendeve anëtare të përcaktojnë vetë “të burgosurit politikë”, rast pas rasti, e për raste të veçanta mund t’i referohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut se kush mund të quhet “i burgosur politik”. Për më shumë, amendamenti thotë se Asambleja Parlamentare nuk mund të përcaktojë bazën e të drejtave dhe lirive të njeriut, ndërkohë që kjo është ajo që ne bëjmë këtu për çdo debat e rezolutë, pra dëmtonte gjithë institucionin. E padyshim që është diçka për të cilën Shqipëria duhet të ndihet e turpëruar sepse ka dhe Presidencën”, theksoi Reps.
Jashtë kamerave, në ambientet e KiE-së në Strasburg, deputeti Shpëtim Idrizi sqaroi për TCH se Azerbajxhani kishte lobuar fort, duke justifikuar votën e delegacionit shqiptar kundër rezolutës dhe pro amendamentit problematik thjesht me solidarizimin ndaj kërkesave të Azerbajxhanit.
Përgatiti: Arta Tozaj
Top Channel