Top-Story, politika dhe ish të përndjekurit

04/10/2012 00:00

Prej dhjetë ditësh, një grup ish-të përndjekurish politik privohen nga ushqimi në kryeqytetin Tiranë, të indinjuar nga ajo që ata e caktojnë si braktisja totale e shtetit në më shumë se dy dekada demokraci.

Përballë një liste kërkesash ekonomike, vetë kryeministri Sali Berisha u ndal dhe i kushtoi pothuajse gjysmën e kohës kësaj çështje, në një konferencë rutinë për shtyp.

Sipas tij, maxhoranca në pushtet ka bërë më shumë se çdo qeveri e mëparshme për ish-të përndjekurit, ndërsa kryeministri theksoi se nuk ka ndërmend të negociojë mbi atë që ai e quajti “grevë politike”.

Për të komentuar një çështje të tillë kaq të ndjeshme për opinionin publik dhe këtë plagë të hapur që nga koha e komunizmit, emisioni i përjavshëm politik i Sokol Ballës, “Top-Story”, ftoi në studio Simon Mirakën, kreun e Institutit të të Përndjekurve Politikë, Reshat Kripën, një ish-I përndjekur dhe anëtar i të njëjtit institutit, Keti Bazhdarin, drejtuesen e platformës për ish-të përndjekurit nga Partia Socialiste dhe opinionistin Eduard Zaloshnja.

Gjithashtu, në linjë direkte nga vendi i grevës, ish-të përndjekurit dëshmuan edhe një herë më shumë për gjendjen e tyre të mjeruar ekonomike.

“Kërkesat dhe premtimet ndaj ish-të përndjekurve janë të vjetra mbi 20 vjet. Në vitin 1992, nisi rimbursimi i parë, kur u strehuan rreth tre mijë familje dhe u shpërndanë letra me vlerë. Megjithatë, duhet pasur parasysh që shtresa e ish-të përndjekurve, jo vetëm që vuajti padrejtësisht, por edhe mbeti pa asnjë pronë, të cilat u sekuestruan nga shteti”, kujtoi Miraka, i cili shpjegoi edhe mungesën e mbështetjes së Institucionit të tij për grevën.

“Instituti i ish-të përndjekurve është një institucion shtetëror, për më tepër që në katin e parë ndodhet institute i studimeve të komunizmit që ka dokumente të rezervuara dhe në të dytin jemi ne. Në një institucion nuk mund të bëhet grevë, është ndryshe nga një shoqatë. Unë kam shkuar disa herë tek grevistët, i kam vizituar dhe i kam thënë që në kërkesat ekonomike mund t’iu mbështes e do t’iu mbështes, por nëse greva merr ngjyra politike, sigurisht që nuk mund të bashkohem. Ligji i dëmshpërblimit, faktikisht ka pasur probleme, me 700 dosje jashtë afatit kohor. Është e vërtetë që ka pasur disa burokraci, por jam i sigurt që do të ketë një zgjidhje të shpejtë”, shtoi Miraka.

Në lidhje me këtë protestë, udhëheqësja e grupit të punës së Partisë Socialiste, Keti Bazhdari theksoi se mbështetja e forcës së saj politike nuk vjen vetëm për kapital politik: “Jo vetëm unë, por krejt grupi i punës së PS për ish-të përndjekurit po e mbështet këtë grevë, solidarizohet tërësisht me të. Në Shkodër, diçka që e di shumë mirë, nga mbi 2 200 banesa sociale që janë dhënë, vetëm 200 i kanë shkuar ish-të përndjekurve, nga të cilat as gjysma ish-të përndjekurve të vërtetë. Kjo grevë është e turpshme të quhet politike nga ana e kryeministrit. Që disa forca politike ta mbështesin është normale, forcat politike atë detyrë kanë. Greva nuk është vetëm materiale, por edhe për të kërkuar dinjitetin e merituar të kësaj shtrese. Kjo shtesë, ikonat e lirisë, nuk mund ta kenë dinjtietin e zhgërryer. Kjo është hera e tretë që ish-të përndjekurit bëjnë grevë kundër Sali Berishës dhe në të tre rastet, grevat janë shtypur me forcë”, deklaroi përfaqësuesja socialiste.

Duke qëndruar pikërisht tek nuancat e mundshme politike të grevës, Zaloshnja përgënjeshtroi ekzistencën e një sfondi politik pas kërkesave të shumta ekonomike të parashtruara nga ish-të burgosurit. “E kam ndjekur grevën nga shumë pranë. Përfaqësues greve është ai që është atje shtrirë, nga ata unë nuk kam dëgjuar kërkesa politike. Sot për herë të parë dëgjuam nga kryetari i Shoqatës së të Përndjekurve Politikë që të kërkohej rrëzimi i qeverisë, por ai nuk është një përfaqësues. Deri tani kam dëgjuar vetëm kërkesa ekonomike dhe sociale, nga ata që janë në grevë. Ajo që ata po kërkojnë është një diskriminim pozitiv, prej atyre që janë diskriminuar negativisht nga shteti për shumë kohë”.

Një përfaqësues i Institutit të ish-të Përndjekurve Politikë, zoti Kripa bëri një analizë tjetër të grevës dhe situatës së ish-të përndjekurve. “Patjetër që ka një keqardhje për këtë situatë ku është arritur. Nga ana tjetër, që të organizosh një grevë, duhet një kokë udhëheqëse, sepse grevat e shkëputura janë të destinuara të dështojnë. i njoh shumë prej grevistëve, por më vjen keq që kanë hyrë në një rrugë pa kokë për të zgjidhur problemet e tyre. Greva e nisur ekonomike, në disa pika kanë shumë të drejtë, si ligji i dëmshpërblimit me tetë këstet që zgjaten, por gabimi i tyre është se kanë lejuar të instrumentalizohen, pasi nuk duhet të kishin pranuar personat politikë në këtë grevë”.

Grevistët ish të përndjekur u vizituan nga Fatos Lubonja, publicisti që mban mbi shpinë disa vite burg në qelitë e regjimit. Duke komentuar protestën në fjalë, zoti Lubonja tha se ka patur një grup të vogël në politikë që ka patur prirje të shfrytëzojë këtë kategori dhe se në 20 vite demokraci, kjo situatë është e tepërt.

Fatos Lubonja: Ndarjet e të burgosurve nga një parti në parti tjetër është një gabim i madh që i është bërë shoqërisë shqiptare. Cështja e të burgosurve politikë nuk duhet të ishte cështje e PS apo PD. E vërteta është që PD i ka mbajtur më afër ish të burgosurit politikë. Këto dy parti nuk e kanë parë me sinqeritet dhe me gjithë atë tragjizmin që ka kjo dramë. Kësaj kategorie i kanë humbur gjëra të pariparueshme. Kjo duhej të ishte cështje e të gjitha partive, nëse do të ishte kështu do të ishte zgjidhur shumë më shpejt. Manipulimi krijon alibi për partitë. Duhet të ketë një moment ku t’i thuhet ndal kësaj gjëje e të shikohet kjo shtresë që ka pësuar këtë dramë. Për të marrë vota, PD që mbahet si antikomuniste u bë aleate me partinë komuniste të Hysni Milloshit, kjo duhet të marrë fund. Premtimet elektorale janë premtime që nuk janë mbajtur, politika jonë është investo me pak para për të mashtruar këta njerëz dhe pastaj bëj cka të mundësh për t’u pasuruar vetë. Kjo grevë nuk ka lidhje me Partinë Socialiste. Ps ka shumë të drejtë që t’i kthehet kësaj kategorie, por duhet të dënojë krimet e Enver Hoxhës, ndërsa PD i ka instrumentalizuar. Kjo është një dramë e të gjithëve dhe politizimi është pjesa më e shëmtuar.

Ndërsa për analistin Zaloshnja, shteti ka detyrimin moral dhe ligjor të shpërbleje kategorinë e ish të përndjekurve. Sipas tij nuk ka patur një prioritet në këto shpërblime që duhet të kishin nisur me personat që kanë vuajtur më shumë e më pas me të tjerët. Ndërsa ish i përndjekuri Simon Miraka deklaroi qendrimin e tij kundër grevës së urisë si një formë ekstreme proteste. Sipas tij, cështja zgjidhet duke u ulur në tavolinën e bisedimeve.

Drejtuesja e platformës për ish të përndjekurit politik në PS, Keti Bizhdari tha se në PS është përfaqësimi më dinjitoz që iu është bërë të burgosurve politikë në politikë. Ajo tha se janë ngritur grupe pune dhe plani bazohet në tre pika; rehabilitimin ekonomik të kësaj shtrese, rehabilitimin moral si dhe rehabilitimin social.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA