Strategjia e zgjerimit të BE-së

04/10/2012 20:10

Strategjia e përgjithshme e zgjerimit të Bashkimit Europian, që publikohet në datën 10 tetor, përbën dokumentin bazë dhe udhërrëfyes të Brukselit për politikën që do të ndiqet ndaj vendeve që shpresojnë të integrohen.

Në projektdokumentin e siguruar nga “Top-Channel”, pas një historiku të shkurtër, për të kujtuar të mirat për të gjitha palët e përfshirë në këtë proces, Komisioni bëri një raport mbi ecurinë e vendeve të zgjerimit, që prej raportprogreseve të vitit të kaluar.

“Gjatë vitit të kaluar, në vendet e zgjerimit, pati zhvillime të tjera pozitive lidhur me reformat europiane. Në Malin e Zi u çelën bisedimet për anëtarësim, Serbia mori statusin e vendit kandidat. Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë pati zhvillime pozitive dhe dialogu i një niveli më të lartë solli një fokus të shtuar në zbatimin e reformave. Dialogu midis pozitës dhe opozitës në Shqipëri ndihmoi gjerësisht në kalimin e ngërçit politik, nëpërmjet miratimit të reformave zgjedhore dhe parlamentare. Negociatat për anëtarësimin me Islandën po avancojnë mirë, ndërsa Turqia ka treguar një vullnet të qartë për t’u anëtarësuar. Në të njëjtën kohë, në një numër vendesh, ka pasur një seri problemesh me reformat, mirëqeverisjen, sundimin e shtetit të së drejtës, kapaciteteve administrative, papunësinë, problemet ekonomike dhe përfshirja sociale mbeten sfida kryesore për pothuajse të gjitha shtetet, në veçanti në Bosnje dhe Kosovë. Shpesh duhet marrë një përgjegjësi më e madhe politike për zbatimin e reformave për të ecur përpara. Përforcimi i lirisë së shtypit dhe pavarësisë së medias mbetet një përparësi absolute”, shkruhej midis të tjerave në raport.

Sipas dokumentit, ashtu si në vitet e mëparshme, përparësi për kriteret e anëtarësimit në 2012-13 mbetet sundimi i ligjit.

“Vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Europian, duhet të dëshmojnë aftësitë e tyre praktike përgjatë të gjithë shkallës së procesit të integrimit dhe të vendosin e të promovojnë që nga fillesat funksionimin e duhur të institucioneve kryesore, që duhen për qeverisje demokratike dhe shtetin e së drejtës, që nga parlamenti kombëtar, qeveria dhe sistemi gjyqësor”, vazhdonte raporti.

“Korrupsioni mbetet mbizotërues në shumicën e vendeve që synojnë të anëtarësohen. Ai minon mbizotërimin e ligjit, dëmton negativisht në tërheqjen e investimeve, në zhvillimin ekonomik dhe buxhetin kombëtar, duke pasur një impakt negativ në jetën e përditshme të qytetarëve, si në punësim, edukim dhe shëndetësi”.

Mungesa e lirisë së medias dhe ndikimi politik, përbëjnë një tjetër problem me rëndësi. “Vendet e zgjerimit karakterizohen në përgjithësi nga një peisazh pluralist mediash. Në disa vende ka pasur progres drejt dekriminalizimit të shpifjes, por në një numër vendesh, liria e të shprehurit vazhdon të jetë e kufizuar dhe një shqetësim serioz, me ndërhyrje politike e presion ekonomik”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA