Ligji i ri i akcizave, përvecse rrit fort barrën për prodhuesit vendas të kafesë, duke e çuar akcizën nga 30 lekë për kilogram në 140 lekë, ka marrë dhe një intepretim të dyshimtë ligjor nga doganat.
Përmes një vendimi të paprecedent, dogana po i jep ligjit fuqi prapavepruese duke urdhëruar që taksa e re të zbatohet edhe për kafen e papërpunuar që është importuar para hyrjes në fuqi të ligjit, ndonëse për këtë sasi akciza është paguar njëherë pranë tatimeve.
Si asnjëherë tjetër më parë, përmes këtij urdhëri doganat janë duke taksuar dy herë të njëjtin produkt.
Por, rritja e barrës dhe taksimi dy herë i inventarit nuk është kostoja e vetme që ligji i ri po i ngarkon prodhuesve vendas.
Trajtimi fiskal i kafes është rast unik edhe për një arsye tjetër duke qenë një nga rastet e rralla ku prodhimi vendas taksohet më shumë se importi.
Veç barazimit të akcizës me kafen që vjen e gatshme nga importi, përpunuesit vendas janë të detyruar të paguajnë edhe një kosto shtesë, si taksë doganore në masën dhjetë për qind, që nuk paguhet për kafen e gatshme.
Në total, rritja e fundit e akcizës nga 30 në 140 lekë plus taksa doganore dhe efekti i rritjes së TVSH-së e çojnë koston shtesë për përpunuesit vendas në 200 lekë për kilogram, dukshëm më lartë se sa ajo që paguan nga ata që importojnë kafe të gatshme.
Top Channel