“Armët”, Berisha: Akuzat janë trillime

04/10/2012 00:00

Kryeministri Berisha doli në takimin e radhës përballë gazetarëve në respektim të traditës së vendosur pak muaj më parë. Kreu i mazhorancës ceku një sërë cështjesh përballë medias, që nga akuzat për abuzime me shit-blerjen e armatimeve luftarake në Ministrinë e Mbrojtjes, statusi i vendit kandidat, e deri tek buxheti i vitit të ardhshëm dhe koalicionet në zgjedhjet e qershorit që vjen.

Në reagimin e parë lidhur me skandalin e shitjes së armëve luftarake të
denoncuar prej ditësh tashmë në daljet për shtyp të deputetit socialist,
Erjon Braçe, kryeministri Berisha i quajti akuzat trillime.

Skandali i shitjes së armëve luftarake. Kryeministri Berisha:
“Një fushatë e organizuar, e strukturuar shpifjesh dhe trillimesh që ka
si qëllim vetëm diskreditimin. Për dy muaj rresht, cdo ditë u shpif se u
përgjua opozita dhe ambasadat dhe nuk sollën asnjë fakt të vetëm. Dilet
e deklarohet se kemi bërë afera me Malin e Zi dhe u paskemi dhënë nga
dy predha për familje. Por, Mali I Zi është një vend mik dhe ata që
mendojnë për përlyerjen e ushtrisë dhe pengimit të bashkëpunimit, por ne
kemi një marrëdhënie të shkëlqyer me ta. Pavarësia e Malit të Zi është
parë me dhimbje të madhe nga Beogradi dhe nga grupe të vogla, që e
shohin ende si një vend armik, si në kohën e komunizmit. Ata janë
partnerë dhe ne e mbështesim plotësisht në procesin e anëtarësimit në
NATO”.

Duke u ndalur tek greva e ish të përndjekurve politikë dhe pasi përmendi ligjet e miratuara nga Partia Demokratike në favor të dëmshpërblimit të kësaj shtrese të shoqërisë deri në vitin 1997, Berisha fajësoi Partinë Socialiste se për 8 vite me radhë hodhi në harresë këtë kategori.

Kryeministri shtoi se ka një ligj për dëmshpërblimet dhe sipas tij, si askund tjetër, qeveria shqiptare ka vendosur dëmshpërblim total për ish të burgosurit politikë. Sa i përket grevës, Berisha e cilësoi atë një protestë politike duke aluduar se pas kësaj proteste qendron Partia Socialiste dhe rivali i tij politik, Edi Rama.

“Nuk negocioj kurrë me greva urie politike dhe ju e dini shumë mirë që kam precedentë  për këtë (referuar këtu grevës së urisë së deputetëve socialistë në 2009). Kjo është një formë proteste politike radikale me të cilën nuk ka negociata. Unë kam respekt për cdo lloj kundërshtie ndaj meje, por këta zotërinj përdorin kamerat dhe u thonë shqiptarëvëe që nuk u është dhënë asnjë këst. Po thonë një të pavërtetë të madhe. Në mënyrë absolute secili prej tyre, ka marrë këstin e parë, ligji thotë se të dytin e marrin ata që janë mbi 65-vjec dhe se ata që nuk kanë sjellë dosjet para 2010, nuk e marrin atë”, tha Berisha.

Sa për akuzat për shkelje të ligjit me shpërndarjen e reklamave shtetërore, kryeministri ripërsëriti qendrimin e mazhorancës se nuk ka asnjë diskriminim, përkundrazi akuzoi Ramën për një gjë të tillë, gjatë kohës kur kreu socialist ishte në krye të Bashkisë së Tiranës.

Reklamat shtetërore. Berisha: “Ka dy realitete, realiteti i Këshillit të Ministrave, që pa përjashtim të gjitha reklamat i ka ndarë në tre televizione kombëtare, Klan Top Channel dhe TVSH. Në raste të caktuara Top Channel në një gjest miqësor ka kërkuar mirëkuptimin se jo në cdo kohë që duam ne mund të transmetojë reklamën tonë dhe ne kemi patur mirëkuptimin. Por është paguar me ndërshmëri për të gjitha transmetimet që ka bërë, nuk ka diskriminim ndaj tij dhe nëse tregohet i gatshëm t’i transmetojë ato në kohën që zgjidhet nga Mediaplan, nuk do të ketë diskriminim. Realiteti i dytë, që nga 2006 deri në 2011, ditën që iku nga bashkia u dhanë miliona euro, u janë dhënë vetëm 3 mediave të dashura të tij, Top Channel, Vizion Plus, News24 as edhe një qindarkë për të tjerat”.

Top Channel ka bërë publike edhe në ditët e kaluara shifrat për cdo ministri dhe se si është shpërndarë reklama shtetërore, sa ka përfituar Top Channel prej saj dhe shifrat në fakt tregojnë diferencim të skajshëm.

Top Channel rikonfirmon sqaron publikun se nga fondi total i qeverisë për reklama shtetërore ka marrë vetëm 3-6 përqind të totalit prej 16 milionë dollarësh për periudhen 2007-2012, një shifër shumë simbolike, ndonëse është media më e madhe në vend. 

Më 10 tetor pritet të publikohet raporti i Komisionit
Europian në lidhje me statusin e vendit kandidat. Vendimi pritet të jetë
pozitiv, por me kushte. Edhe në këtë konferencë shtypi, kryeministri Berisha
nuk la pa sulmuar kreun e opozitës Edi Rama. Rama, sipas kryeministrit, po
pengon reformat e mëtejshme të vendit duke kërkuar pazar për Qarkun e Fierit, që
sipas kryeministrit është ende në gjykim.

 

Kryeministri u ndal më tej tek zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm duke qenë se kryeprokurorja Ina Rama është në fund të 5-vjeçarit të saj. Lidhur me këtë cështje, Berisha tha se zgjedhja e emrit që do të jetë prokuror i takon Presidentit të Republikës e më pas votohet në parlament. Kreu i mazhorancës shprehu besimin se presidenti Nishani do të ushtrojë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën detyrën e tij.

 

Ndërsa duke u ndalur tek zgjedhjet e ardhshme, Berisha u shpreh i bindur në fitoren e PD-së. Ai tha se PD është parti koalicionesh dhe shprehu gatishmërinë e kësaj partie për të ndërtuar një koalicion zgjedhor me LSI-në.

 

Sa i përket buxhetit të vitit të ardhshëm, që pritet të miratohet pas disa javësh, kryeministri Berisha tha se ai do të jetë buxheti më i madh që ka patur vendi ndonjëherë dhe shprehu bindjen për vazhdimin e rritjes ekonomike, rritjes së pagave dhe pensioneve dhe hodhi poshtë parashikimin e FMN-së për një rritje ekonomike minimale duke deklaruar se institucioni monetar ndërkombëtar gabon.

Top Channel