
Kryetari socialist Edi Rama deklaroi të mërkurën se opozita nuk do të
votojë projektligjin për Gjykatyën e Lartë nëse nuk zbatohen 13 vendimet
e gykatave për Qarkun e Fierit. Sipas tij Berisha është përgjegjës për
katandisjen e procesit të integrimit, në proces burokratik dhe Fieri
është shembulli me flagrant i paligjshmërisë në Europën e bashkuar ku ne
do të shkojmë.
“Prej disa ditësh Saliu akuzon se po kërkojmë një Pazar. Sqaroj, se ne kërkojmë vetëm zbatimin e 7 vendimeve të Gjykatës së shkallës së parë, 4 vendimeve të Gjykatës së Apelit dhe 2 vendimeve të Gjykatës së Lartë, plot 13 vendime gjykate, të gjitha pa asnjë përjashtim në favor të Partisë Socialiste, si fituese e Qarkut Fier. Nëse sot ka një shqiptar që është përgjegjës para shoqërisë dhe hostroisë, për kthimin e procesit të integrimit europian të Shqipërisë në një proces të lodhshëm, të mbushur me shpifje, akuza, mediokritet, ky është Sali Berisha. Fieri, është shembulli me flagrant, më ulëritës, më kuptimplotë, i kësaj ndarjeje me thikë mes ligjeve në letër që miratojmë për integrimin dhe realitetit të paligjshmërisë që s’ka lidhje me Europën e Bashkuar, ku duam të hyjmë. Në pikën ku jemi tani, me një draft për vetë Gjykatën e Lartë në Parlament dhe me vendim të Gjykatës së Lartë të pazbatuar në dorë, ne s’ mund të mbyllim sytë e të ngremë dorën për medemek një reformë për drejtësinë ndërkohë që drejtësinë që kemi marrë në gjykatë na e mohon qeveria’, tha kreu socialist.
Rama foli edhe për skandalin e reklamave shtetëreor, duke iu referuar rastit të denoncuar nga selia rozë për ministrin e Transporteve, ai tha se më e pakta që Olldashi duhet të bëjë është që të japë dorëheqjen.
“Deputeti Eduard Shalsi, dorëzoi në Prokurorinë e Përgjithshme padinë për shkelje flagrante të ligjit nga ana e Ministrit të Transporteve. Ministri ka financuar me paratë e buxhetit të shtetit dhe jashtë çdo kriteri ligjor, me gjysëm milioni euro, Partinë Demokratike, për gazetën e saj dhe me afro 1 milionë euro tre tribunat e shpifjeve e të sharjeve të përditshme të pushtetit ndaj opozitës: ‘RD’, ‘55’, ‘Koha Jonë’.Në çdo vend normal një ministër që bën një gjë të tillë një gjë të tillë jep dorëheqjen dhe merret në kujdestari nga Prokuroria. Janë një bombë që ka dëmtuat themelet e kushtetutës, ka hedhur në erë ligjin dhe asfiksuar frymën e sistemit tonë politik duke futur drejtpërdrejtë duart në arkën e shtetit,’ theksoi Rama.
Olldashi: Akuzat për interesa të ngushta
Ministri i Transporteve Sokol Olldashi, në një deklaratë për mediat bërë pasditen e së mërkurës, reagoi pas denoncimit në prokurori nga Partia Socialiste për shkeljet për cështjen e reklamave.
“Akuzat kanë të bëjnë me interesat e ngushta të kreut të opozitës Edi Rama dhe Kokëdhimës dhe nuk kanë të bëjmë me reklamat”, u shpreh Olldashi.
Sipas tij, Rama ka shpenzuar 300 milionë lenë nga fondi i Bashkisë, ndërsa vetëm në vitin 2007 janë shpenzuar 120 milionë lekë për spote televizive në televizione lokale.
Rama në Twitter: Ministrat vetëm shpifin
Edi Rama ka reaguar përmes Twitter pas deklaratave të ministrit Olldashi, por edhe atyre të Ministrisë së Mbrojtjes, ku denoncohen ato që opozita i ka cilësuar abuzime dhe afera korruptive prej miliona eurosh.
“Mjerë ky vend për këta ministra të kapur publikisht me presh në duar e që s’japin llogari para publikut për faktet, po veç shpifin harbutshe”, deklaron Rama.
“Ministri i Mbrojtjes ka ditë që vetëm shpif se kemi nxjerrë sekretet e shtetit teksa në shesh po dalin përditë veç të palarat e tij”, shkruan më tej kreu i PS.
Sipas tij, ministri i Transporteve shpif për gjurmë që të çojnë te bashkia e Tiranes teksa ujkun e një abuzimi të tij një milion euro e sheh tërë publiku.
“Shpifja është guri i fundit i kësaj qeverie që i janë shembur themelet e i ka mbetur vetëm t’i gjuajë opozitës me arrogancë dhe dëshpërim”, e mbyll reagimin e tij Rama.
Top Channel