Presidenca, “furtunë” shkarkimesh

03/10/2012 00:00

Largimi i ish-presidentit Bamir Topi nga Presidenca është shoqëruar me
një furtunë largimesh dhe transferimesh të stafit, që për pesë vite
ishte pjesë e këtij institucioni.

Me ardhjen e Bujar Nishanit në krye të shtetit shqiptar, Presidenca ka marrë vendimin fillestar për të spastruar të gjithë stafin politik të ish-presidentit Bamir Topi të përbërë prej 12 personalitetesh. Por kjo lëvizje ka qenë vetëm fillimi, pasi punonjësit e sigurisë të Presidencës e “pësuan” gjithashtu nga spastrimi që u krye prej kreut të ri të shtetit. Burimet bëjnë të ditur për “Shqip”, se 16 oficerët e Gardës që punonin në Presidencë gjatë kohës që ajo drejtohej nga Topi, janë transferuar jashtë Tiranës. Më i prekur nga ky proces rezultoi drejtuesi i grupit të shoqërimit të Topit, Frrok Kaçorri, të cilit iu komunikua shkarkimi nga Garda. Por duket se Presidenti i ri, Nishani, ka vendosur të spostojë pa hezitim edhe dy nga drejtorët kryesorë të Presidencës, të cilët mbajnë edhe statusin e nëpunësit civil. Burimet bëjnë të ditur se ka pasur edhe shkelje në procedurën e emërimit të sekretarit të përgjithshëm të Presidencës, Bardh Spahia, për të cilin pretendohet se është emëruar në këtë post të lartë të nëpunësit civil pa konkurs. Po kështu, burimet tregojnë se në kundërshtim me politikën e tkurrjes së shpenzimeve të administratës, zyrtarët e rinj të stafit aktual të Presidencës gëzojnë privilegje të konsideruara së fundmi si të tepërta.

Stafi politik

Bujar Nishani nuk vendosi të mbajë asnjë nga 12 anëtarët e stafit politik të paraardhësit të tij, Bamir Topi. Pavarësisht se lëvizja e përfaqësuesve politikë të Presidencës konsiderohet një proces normal, kostoja e zëvendësimit të tij duket se i ka kushtuar shtrenjtë buxhetit të shtetit. Kështu, për secilin nga personat e shkarkuar të stafit politik, Presidenca është e detyruar në bazë të ligjit t’u paguajë si shpërblim dy rroga mujore dhe lejen e zakonshme. Po kështu, zëvendësimi i tyre me personel të ri, rrit koston, pasi këshilltarët e rinj të Nishanit janë paguar që nga data e emërimit të tyre.

Garda e Republikës

Largimi i Bamir Topit nga Presidenca la gjurmë dhe jetët e 16 oficerëve të Gardës së Republikës, të cilët ishin zgjedhur nga vetë ky institucion për të qenë në shërbim të Presidencës. Kështu ata janë lëvizur të gjithë nga pozicioni që mbanin në këtë institucion dhe janë lëvizur nga Garda për të punuar jashtë kryeqytetit dhe larg institucioneve kryesore të vendit.

Nëpunësit civilë

Burime pranë Presidencës bënë të ditur se gjatë muajit shtator kanë nisur edhe lëvizjet në stafin teknik të këtij institucioni, ose thënë ndryshe mes personave që gëzojnë statusin e nëpunësit civil. Kështu, drejtorët e financës dhe shërbimeve teknike në Presidencë janë shkarkuar nga detyra dhe në vend të tyre janë emëruar drejtorë të rinj. Por pritet që këto shkarkime t’i kushtojnë Presidencës, pasi mësohet se të shkarkuarit do ta ndjekin çështjen në rrugë ligjore dhe nisur nga statusi që i mbronte e kanë pothuajse të sigurt marrjen e së drejtës.

Top Channel