Olldashi: Rama, reklama klienteliste

03/10/2012 00:00

Ministri i Transporteve Sokol Olldashi i është përgjigjur menjëherë akuzave të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, që duke kujtuar kallëzimin penal ndaj ministrit Olldashi, tha se ai ka financuar në mënyrë të paligjshme nëpërmjet reklamave shtetërore, organet e partisë.

Duke deklaruar se fondi i dhënë është krejt i ligjshëm, sepse është njoftim për shpronësime, zoti Olldashi, tregoi disa dokumenta, që sipas tij akuzojnë Edi Ramën për klientelizëm ekonomik dhe politik.

Këto dokumenta, sipas zotit Olldashi tregojnë se vetëm në 5 vitet e fundit të drejtimit të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama ka dhënë në formë reklamë 300 milionë lekë të vjetra vetëm për tre gazeta, gazetën Shekulli, gazetën Shqip dhe Gazetën Shqiptare.

“Dakord! Ministria e Punëve Publike, gjatë viteve që unë e drejtoj dhe gjatë viteve që e ka drejtuar Lulzim Basha, ka dhënë rreth 700 apo 800 milionë lekë të vjetra reklamë, sic quhet, por nuk është reklamë, është njoftim shpronësimesh.  11 mijë qytetarë shqiptarë, të cilëve 10 mijë kilometra rrugë u kanë prekur pronat. A mund të më thotë kush, këto 300 milionë lekë, që janë gati sa gysma e njoftimeve për shpronësim, për cfarë i ka paguar zoti Rama?”, deklaroi ministri.

Përsa i përket prodhimit të spoteve, ministri Olldashi tha se deri në vitin 2009, Bashkia e Tiranës e drejtuar nga zoti Rama ka operuar me tre kompani, që në fakt, sic tha ai, kanë vetëm një pronar, ish-drejtorin e Galerisë së Arteve, Edi Muka, që zoti Olldashi e identifikoi si mikun e Edi Ramës.

Pas viti 2009 spotet i janë dhënë vetëm një personi, Juela Shamku, apo sic e identifikoi ministri Olldashi, motra e këshilltarit të zotit Rama, Arbi Mazniku. Sipas ministrit Olldashi, vetëm në vitin 2007, kur ishin zgjedhjet lokale, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka dhënë 120 milionë lekë për reklamë televizive vetëm në 3 televizione, Neës 24, Vizion Plus dhe Top Channel.

“Që të cosh reklama tek Top Channel është normale dhe është një gjë që e kam bërë edhe unë, e kanë bërë edhe ministritë e tjera, të drejtuara nga kolegët e mi, duke qenë se Top Channel është një televizion me licencë kombëtare, të dhënë prej nesh. Ministria e Punëve Publike ka dhënë 2 spote gjithsej gjatë gjthë intervalit të gjatë kohor. Të dyja spotet janë ndarë në mënyrë të barabartë mes 3 televizioneve kombëtare. Nuk kemi favorizuar askënd, nuk kemi diskriminuar askënd. 3 televizioneve kombëtare u kemi dhënë transmetimin e spotit për 31 ditë kalendarike në të dyja rastet; TVSH, Klan dhe Top Channel. Atëherë, cila është arsyeja që të gjithë spotet e zotit Rama shkojnë në televizione lokale, përvec faktit që këto televizione lokale, sikurse të gjithë shikuesit e dinë, nuk është fakt i fshehur, janë klientë biznesi apo kanë qenë, në rastin e Carlo Bollinos, klientë biznesi ekonomikë dhe politikë të zotit Rama?!”, tha zoti Olldashi.

***

Top Channel kërkon të saktësojë edhe njëherë se si television kombëtar ka marrë nga Ministria e Transporteve vetëm 3 përqind të shumës totale të reklamave prej 1.6 milionë dollarë gjatë 7 viteve të fundit, edhe pse është televizioni me audiencën më të madhe.

Pikërisht këtë audiencë që gezon sot, e ka patur të tillë që prej vitit 2003, dhe licensën kombëtare e ka fituar pikërisht për audiencën e lartë të arritur me anë të investimeve në njerëz dhe teknologji dhe programeve të tij cilësore.

Ndërsa ka marrë 3 përqind të buxhetit për reklamat e Ministrisë së Transporteve, vlerat e vetme që Top Channel ka marrë në reklama të Bashkisë në 2008, 2009 dhe deri vitin 2010 nuk shkojnë më shumë se 7 milion lekë

Top Channel