Nuk ka zgjatur as 24 orë konsensusi në komisionin e ligjeve. Kandidaturat për kryetarin e KQZ-së sollën sërish përplasje mes palëve.

Pas një seance të gjatë dëgjimore të 16 aplikantëve të paraqitur në komision për kryetar të KQZ-së, u votua nga secili deputet për katër emrat e preferuar.

Vota e deputetëve të djathtë, që ishte edhe përcaktuese në këtë votim, përzgjodhi këto katër emra: Marsida Xhaferrllari, Lefteri Lleshi, Endrit Reka dhe Haki Mustafa.

Por opozita tha se dy nga katër kandidatët, Reka e Mustafa, duhet të skualifikohen nga gara për shkak se nuk plotësojnë një nga kriteret që kërkon ligji, i pari si anëtar i Partisë Demokratike dhe aktualisht kryetar i njësisë bashkiake 11 dhe i dyti pa përvojën prej 5 vjetësh në administratën publike.

Por kërkesa e opozitës për skualifikimin nga gara të këtyre dy kandidatëve u lexua nga mazhoranca si tentativë e radhës e opozitës për bllokim.

“Doni ta bllokoni edhe këtë, po të doni mund ta bëni. Ne do presim të kalojë edhe 10 tetori, sepse atë keni merak ju”, deklaroi kryetari i komisionit Ilir Rusmali.

“Ne jemi këtu për të bërë një proçes normal, për të respektuar ligjin. Nuk mund të jenë kandidatë dy persona që janë jashtë kritereve”, replikoi nënkryetari socialist Fatmir Xhafaj.

Mbledhja u ndërpre duke mos mundësuar proçesin e përzgjedhjes së dy kandidatëve të fundit të mbetur në garë për t’u hedhur në votim në seancën e së enjtes, nga do të dilte dhe kreu i ri i KQZ-së.

Aplikimi i lirë për postin e kreut të këtij institucioni solli një numër relativisht të lartë të kandidatëve për seancë dëgjimore, 16 nga 18 që kishin depozituar kërkesën.

Kristaq Kume ishte i vetmi kryetar i KQZ-së që riaplikoi, ndërsa nuk munguan as premtimet konkrete apo ata që shkaktuan humor në komision.

PD: Rama po vijon strategjinë e bllokimit

Zëdhënësja e PD, Silva Bardhi në një konferencë për shtyp ka akuzar kreun e Partisë Socialiste, Edi Rama, se me qëndrimin e opozitës në komisionin e ligjeve po bllokon proçeset integruese.

Megjithatë, zëdhënësja e ka paralajmëruar liderin e opozitës se nismat e tij bllokuese do të dështojnë ashtu sikurse kanë dështuar më parë.

“Rama përsëriti qëndrimin për bllokimin e statusit. Rama s’voton amendamentet e propozuara nga vetë ai. Rama pas çdo humbjeje ka kërkuar pazare. Bllokimet e Ramës do dështojnë siç kanë dështuar më parë”, deklaroi Bardhi. 

Top Channel