Braçe: Imami abuzoi me çmimet; reagon MM

03/10/2012 00:00

Në ditën e tetë të denoncimeve që lidhet me Ministrinë e Mbrojtjes,
Partia Socialiste thotë se nga dokumentat e tregtisë se armëve del në
pah fakti i një sërë abuzimesh me çmimet e tyre.

Deputeti Erjon Braçe renditi disa lloje armatimesh, të cilat janë shitur me çmime të ndryshme.  Sipas tij diferenca ne çmime arrin deri ne 40%. E gjitha dem ekonomik ne disa qindra mijë euro për buxhetin e shtetit,- tha Braçe,- që shkojnë më pas si të mëdha për klientët e Ministrisë së Mbrojtjes.

“Shitjet e Ministrise se Mbrojtjes jane adresuar vetem ne dy kompani, ‘Montenegro Defence Industry’ dhe ‘UNIMESCO’. Por çmimet me te cilat eshte shitur tritoli jane teresisht te ndryshme. Vete ‘MDI-së’, Ministria e Mbrojtjes njehere ja shet me 305 dollare per ton dhe heren tjeter me 400 dollare per ton. Nderkohe qe i shet ‘MDI’ me 400 dollare per ton, i shet ‘UNIMESCO’ me 370 dollare per ton. Ministria e Mbrojtjes ja shet exogjenin ‘MDI’ me çmime qe variojne nga 1000 deri ne 1500 dollare per ton, por Uzines ceke ja shet vetem per 500 dollare per ton.Shihni cfare diferencash ne çmime. Ministria e Mbrojtjes i shet kompanise ‘AR Global’ per llogari te Ministrise se Mbrojtjes dhe Veteraneve ne Burkina Fasso, mortaja 60mm me çmim 200 dollare per cope. Por Ministria e Mbrojtjes –’MDI-se’, te njejtin mall ja shet per 180 dollare per cope. Ministria e Mbrojtjes i shet ‘AR Global’ mortaja 82mm me çmim 300 dollare per cope; i shet ‘NF Belize’ mortaja 82 mm me cmim 300 dollare per cope. Por Ministria e Mbrojtjes i shet ‘MDI’ mortaja 82 mm me çmim 230 dollare per cope’, thotë Braçe.

Deputeti Brace kërkoi sqarime nga ministri i Mbrojtjes Arben Imami për këto shitje armatimi me çmime të ndryshme.

“Dua ta pyes per here te fundit ministrin Imami, ku perfundojne parate e diferencave ne çmim, kaq te hapura e abuzive, si rishperndahen dhe kujt i paguhen? Keto jane “plehrat e komunizmit”, qe duhet te administrohen ne favor te buxhetit te shtetit nga Ministria e Mbrojtjes.  Por qe ne fakt po pasurojne ne menyre te padrejte dhe ne kurriz te shqiptareve, interesave te tyre strategjike, politike dhe ekonomike, klientet e ministrit Arben Imami dhe zyrtare te korruptuar qe dhunojne, poshterojne e turperojne ushtaraket e ndershem ne ate Ministri”, u shpreh Braçe.

Meqënëse pas denoncimit të së martës, ku u zbulua se Sllobodan Tesiç partneri serb në tregti armës me Ministrinë e Mbrojtjes është person i listuar në listat e zeza të OKB-së, nuk pati asnjë reagim nga dikasteri zotit Imami, deputeti Braçe tha se Arben Imami duhet të përgjigjet për këto marrëdhënie të konsoliduara me Tesiç.

“Cila eshte arsyeja qe ministri i Mbrojtjes Arben Imami hesht?Ka pohuar vete, me gojen e tij dhe publikisht se, ne tregtine e armeve ka vetem nje kusht: partneret te mos jene ne listen e zeze te OKB. Eshte kapur ne flagrance ne nje marredhenie tregtare me tamam njerin nga lista e zeze e OKB. A mban pergjegjesi politike dhe juridike Ministri? Perse hesht Arben Imami? E kuptoj qe ministri eshte ne gjendje te rende por ka nje zgjidhje, e vetmja: Te dorehiqet!’ tha Braçe.

MM: Punojmë me shtetet, jo me personat

Ministria e Mbrojtjes ka reaguar sërish të mërkurën pas akuzave të radhës të deputetit të PS Erjon Braçe, në lidhje me kontrabandën e pretenduar të armëve.

Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e ministrisë ka hedhur poshtë deklaratat e Braçe për marrëdhënie personale të ministrit Imami me trafikantë armësh që janë në listën e zezë të OKB-së.

“Ministria e Mbrojtjes ka marrëdhënie me shtetet dhe s’ka marrëdhënie personale me asnjë person. Asnjë person i përmendur nuk ka vizituar një ambjent ushtarak të forcave tona të armatosura”, ka deklaruar zëdhënësja, e cila më pas ka sqaruar çështjen e çmimeve.

“Shitjet bazohen në çmime të caktuara. Zoti Braçe nuk mund t’i tregojë shifrat ose gënjen. Ministria e Mbrojtjes ka arritur të shesë municione për skrap. Shpifja e radhës është qesharake”, ka sqaruar zëdhënësja.

Ministria e Mbrojtjes sulmon Braçen

Ministria e Mbrojtjes nuk priti të mërkurën konferencën për shtyp të deputetit socialist Braçe, por i parapriu asaj me një deklaratë të zëdhënëses.

Në deklaratë edhe njëherë theksohet se tregtia e armëve është e ligjshme dhe se një pjesë e parave shkojnë për të paguar punonjësit e Kombinatit të Policanit, në qarkun e Beratit, ku Braçe është deputet.

“Ministria e Mbrojtjes në vijim të transparencës me opinion publik sqaron se: tregtia e armëve është një aktivitet i ligjshëm dhe i dobishëm që sjell të ardhura për të mbështetur procesin e demontimit dhe asgjësimit të municioneve të tepërta e të rrezikshëm. Përkundër propagandës të Partisë Socialiste, sqarojmë se aktualisht të gjitha municionet janë jashtë përdorimit të Forcave të Armatosura dhe të destinuar për t’u shkatërruar. Nga këto municione kategorizohen ato për shitje. Deputeti Braçe, i cili tund letra të vjedhura të shtetit shqiptar, duke mashtruar opinionin publik çdo ditë, është në dijeni se një sasi e madhe e parave të grumbulluara nga tregtia e ligjshme e armëve, shkon për të mbështetur punën në Kombinatin Mekanik të Poliçanit. Nga të ardhurat e siguruara nga tregtia e ligjshme e armëve, 1.2 miliardë lekë janë destinuar për të paguar punonjësit e Kombinatit të Poliçanit. Si deputet i qarkut të Beratit, deputeti Braçe do të duhej të mbështeste këtë proces që siguron punësim për 300 familje të qytetit të Poliçanit.  Ne i kërkojmë deputetit Braçe, të dalë dhe të sqarojë se përse është kundër punësimit të 300 familjarëve nga Poliçani? Përse ai punon kundër bukës së gojës së fëmijëve të Poliçanit? Cili është interesi që fshihet pas kësaj fushate të turpshme të Partisë Socialiste?’ deklaroi zëdhënësja.

 

Top Channel