
Mitingu më 21 janar ishte organizim i Partisë Socialiste dhe nuk ka një autor të vetëm që të jetë marrë me të, përfshirë këtu edhe Edi Ramën.
Kështu deklaroi në proçesin gjyqësor deputeti socialist Besnik Bare, i thirrur në cilësinë e dëshmitarit okular gjatë demonstratës.
Deputeti Bare i shpjegoi gjykatës se praktika e ndjekur në të gjitha mitingjet organizohet në mënyrë të tillë që kërkesën në polici për këtë aktivitet e firmos kryetari i Partisë Socialiste për rrethin përkatës, që në këtë rast ishte ai.
Duke shpjeguar çfarë rrodhi më pas, deputeti theksoi se njerëzit ishin paqësorë dhe se ta u provokuan nga policia që lëshoi gaz lotësjellës dhe që më pas ushtroi dhunë të pajustifikuar mbi demonstrues të shumtë.
“Edhe mua më qëlloi një efektiv policie që nuk e njoh dhe për këtë kam kryer deponim në prokurori”, shtoi deputeti. Sipas zotit Bare, deputetët u bënë shpesh apel njerëzve që të qetësoheshin dhe të mos konfrontoheshin, edhe pse sipas tij, ai nuk kishte parë në asnjë moment njerëz që të sulmonin institucionin e kryeministrisë dhe as gardën apo policët.
Në dëshminë e tij deputeti shtoi se kur ka parë njerëzit që dhunoheshin nga policia, një zyrtar i policisë ia ka justifikuar me batutën: “duhet të shikosh se si na kanë bërë neve nga këmbët”.
Deputeti theksoi se nuk njihte askënd nga ata që kanë qëlluar me armë dhe se faktin që po qëllohej me plumba të vërtetë e ka mësuar mes turmës e po kështu edhe faktin që ishin vrarë e plagosur njerëz.
Pas mëse një orë e gjysmë dëshmi, deputeti tha për mediat se duhet të hetohet se kush janë njerëzit që urdhëruan të qëllohet në turmë.
“Në këtë zinxhir të madh, këta që janë sot në gjyq janë vetëm ekzekutorët, por përgjegjësinë më të madhe e kanë ministri i Brendshëm dhe kryeministri, pasi askush nuk mund të veprojë me kokën e tij”, deklaroi Bare.
Edhe deputeti tjetër socialist Paulin Sterkaj tregoi se kishte parë një njeri të gjakosur që është rrëzuar nga platforma dhe që më pas mësoi se ai ishte Hekuran Deda.
“Policia u konfrontua trup me trup me protestuesit, jo garda. Prandaj garda s’ka pasur asnjë arsye për të vepruar ashtu sic veproi”, tha Sterkaj.
Në seancë dëshmoi edhe ish-kreu i PS në Kamëz, Sul Cara, i cili përshkroi momentin e vrasjes së demonstruesit Aleks Nika, i cili sipas dëshmitarit ndodhej në krah të tij.
Top Channel