
Dhjetë projekte të zbatuara në 13 qytete në të gjithë vendin u përzgjodhën nga “Panairi i Ideve Krijuese”, një program grantesh konkuruese që administrohet nga Zyra e Bankës Botërore në Tiranë dhe Këshilli Britanik në Shqipëri.
Qëllimi i programit, ishte kthimi i ideve te reja për qeverisje dhe llogaridhënie më të mirë në realitet.
Konkursi tërhoqi projekte nga një sërë grupesh dhe individesh, duke përfshirë edhe grupe të shoqërisë civile dhe institucionet akademike. Fokusi i saj kryesor është qeverisja dhe llogaridhënia e mire, me këto çështje në fokus:
– Llogaridhënia dhe transparenca në nivel kombëtar dhe lokal
– Fuqizimi i grupeve të interesit (ose grupeve advokuese)
– Aktivitete antikorrupsion
– Edukata qytetare, aksesi publik ndaj informacionit
– Politikat e dialogut kombëtar
– Buxhetimi me pjesëmarrje kombëtare dhe lokale
– Transparenca dhe mbikëqyrja mbi përdorimin e burimeve buxhetore
– Përfshirja e monitorimit të shoqërisë civile në prokurimin publik
– Proceset pjesëmarrëse në prioritizimin e investimeve publike vendore
– Monitorimi i ofrimit të shërbimeve publike
Këto ishin nëntemat kryesore ku kanë kontribuar projektet. Ato synuan lehtësimin e dialogun ndërmjet publikut institucionet qeveritare dhe publikut nëpërmjet një sërë platformash virtuale.
Në studio, Aida Bërxholli, drejtoreshë e “British Council” në Shqipëri, shpjegoi për procesin e vështirë të përzgjedhjes së dhjetë projekteve nga 140 të prezantuara.
Sipas saj, “është e qartë se korrupsioni është një plagë e shoqërisë shqiptare që nuk mund të shërohet me dy projekte, por nëpërmjet nismave të tilla, ndikohen pikërisht të rinjtë, ata që duhet të bëjnë këtë ndryshim”.
Një prej nismëtarëve të këtyre projekteve, regjizori Gjergj Trola, realizoi një foto-novelë, një histori filmike, të titulluar “Thesi i Tymit”, që vinte në qendër të vëmendjes një familje të zakonshme, që humbiste pjesën më të madhe të të ardhurave të saj si rrjedhojë e korrupsionit.
Mbi bazën e kësaj foto-novele, në disa shkolla të ndryshme në të gjithë Shqipërinë u realizua takime të ndryshme, që vendosën përballë opinionet e adoleshentëve dhe vetë mësuesve të tyre në lidhje me korrupsionin.
Për t’u veçuar, edhe një dokumentar me autor Alban Ramohitajn, që realizoi në qytetin e Durrësit një dokumentar të përqendruar pikërisht tek korrupsioni dhe ndikimi i njerëzve të thjeshtë në hartimin e politikave financiare të qeverisë, dokumentar me titull “Qyteti i qytetarëve, buxheti i qytetarëve”.
Top Channel