Kreu i KQZ-së, Gjiknuri: Maxhoranca po shkel ligjin

01/10/2012 00:00

Partia Socialiste ka akuzuar të hënën mazhorancën se ka parapërgatitur
një skenar për zgjedhjen e kreut të ri të Komisionit Qendror të
Zgjedhjeve.

Në një konferencë për shtyp, deputeti i PS-së Damian Gjiknuri theksoi se maxhoranca po shkel me dashje Kodin Zgjedhor pasi sipas këtij të fundit, zgjedhja e kreut të KQZ-së zhvillohet pas përzgjedhjes së anëtarëve të këtij institucioni.

“Maxhoranca po shkel Kodin Zgjedhor që ne miratuam bashkë me konsensus. Regullorja kërkon votim të anëtarëve të KQZ-së që tashmë janë miratuar. Duhet vetëm vullnet politik për zbatimin e rregullores dhe Kodit Zgjedhor”, tha Gjiknuri.

Deputeti socialist u shpreh se me situatën e krijuar po vërtetohet se premtimet e Berishës për bashkëpunim me opozitën janë demagogji.

***

Përplasjet mes opozitës dhe mazhorancës vazhdojnë në disa fronte në Kuvend, njëri prej të cilëve është ai për KQZ në pikën e procedurës për zgjedhjen e Kryetarit.

Socialistët thonë se po shkelen procedurat me mosdëgjimin e kandidaturave në komision përpara se të kalojnë për votim, ndërsa demokratët argumentojnë se një procedurë e tillë nuk u zbatua edhe për anëtarët e KQZ-së.

Pse PD nuk pranon seancat dëgjimore në komision për kandidatët për kryetar? Kësaj pyetjeje i përgjigjet deputeti socialist Damian Gjiknuri i ftuar në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel.

Gjiknuri akuzoi mazhorancën se po hedh akuza ndaj opozitës për të fshehur shkeljet ligjore që kryejnë vetë.

“Kundërshtarët tanë sa herë janë në gjendjen kur kanë shkelur ligjin, mundohen të akuzojnë palën tjetër. Ne nuk akuzojmë palën tjetër me sajesa. Ligji thotë që kryetari nuk zgjidhet me procedurat e anëtarëeve të thjeshtë dhe kjo është mëse e qartë”, tha zoti Gjiknuri.

Deputeti socialist tha se mazhoranca refuzon transparencën në procesin e zgjedhjes së kryetarit për të siguruar një produkt politik dhe jo një emër mbi palët.

Gjiknuri shtoi se kodi zgjedhor, sa i përket procedurës së zgjedhjes së kryetarit nuk ka paqartësi dhe rrëzoi argumentin e përdorur nga kreu i mazhorancës, Sali Berisha se pse kjo procedurë nuk u ndoq me anëtarët. Deputeti socialist tha se nuk përcaktohet e njëjta procedurë zgjedhje si për anëtarët ashtu dhe për kryetarin.

Ndërsa sa i përket konfliktit për ligjet me 3/5-at, Gjiknuri tha se PS nuk po vendos kushte, por përkundrazi kërkon zhbllokimin e të gjitha proceseve integruese të vendit. Kritikët e opozitës që thonë se ajo vendos kushte dhe më pas del e humbur, akuzojnë për interesa personale politike, përfundoi Gjiknuri.

Top Channel