Alepo, flakët përfshijnë lagjen historike

30/09/2012 08:50

Flakët kanë përfshirë tregun e vjetër dhe lagjet historike të Alepos, kryeqendrës ekonomike të Sirisë, ku luftimet disa mujore midis forcave qeveritare dhe kryengritësve po përshkallëzohen.

Sipas raportimeve, me qindra dyqane janë përfshirë nga flakët, ndërsa një prej pasurive kulturore më të rralla të njerëzimit, njëkohësisht e mbrojtur nga “Unesco”, tregu mesjeter i qytetit, është shkatërruar.

Në një komunikatë, “Unesco” “vajtoi” për këtë shkatërrim, duke e cilësuar si një tragjedi për njerëzimin.

Ndërkohë, luftimet janë të ashpra në disa lagje qendrore të Alepos, qytetit me dy milionë banorë, ku kryengritësit prej tre ditësh kanë nisur një ofensivë të gjerë ndaj pozicioneve të përparuara të ushtrisë së Assad.

Sipas korrespondentëve ndërkombëtarë në zonën e luftimeve, nuk ekzistojnë vija të qarta fronti dhe beteja po zhvillohet shpesh shtëpi më shtëpi.

Besohet se rreth 30 mijë sirianë kanë humbur jetën që prej fillimit të revoltave kundër presidentit Bashar al-Assad një vit më parë, ndërsa qindra mijëra janë shpërngulur në vendet fqinje.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA