Vatikan, vijon gjyqi i mazhordomit të Papës

29/09/2012 16:20

Gjyqtarët e Vatikanit kanë refuzuar të pranojnë provat kyçe të kërkuara nga mbrojtja në gjyqin e ish-mazhordomit të Papa Benediktit XVI, i akuzuar për vjedhje të dokumenteve të rëndësishme.

Avokatët e Paolo Gabriele kanë kërkuar që të përfshihen provat e mbledhura nga kardinalët që kryen hetimin e skandalit, të njohur ndryshe si “Vatileaks”.

Por gjyqtarët thanë se do të bazoheshin vetëm në provat e mbledhura nga policia e Vatikanit dhe prokurorët. Ata e shtynë çështjen për ditën e martë, kur zoti Gabriele do të merret në pyetje.

I pandehuri ka deklaruar para hetuesve se kishte përçuar dokumente sekrete për të denoncuar “të keqen dhe korrupsionin”. Ai u identifikua si burimi i rrjedhjes së dokumenteve që ishin publikuar në librin e një gazetari italian në muajin maj.

Dokumentet përmbanin korrespondenca private mes figurave të vjetra të Vatikanit dhe tregonin për betejat për pushtet brenda selisë së shenjtë dhe korrupsionin.

Vetë Papa urdhëroi kardinalët që të kryenin një hetim të pavarur nga ai i policisë së Vatikanit pasi shpërtheu skandali. Rezultatet e hetimit të tyre nuk janë bërë ende publike.

Top Channel