Shuhet botuesi i “New York Times”

29/09/2012 18:55

Botuesi i gazetës më të famshme amerikane “New York Times”, Arthur Sulzberger Sr, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Zoti Sulzberger drejtoi “NYT” për më shumë se tre dekada para se t’ia kalonte biznesin të birit.

Ai e mori drejtimin e gazetës në vitin 1963, kur ajo ishte në vështirësi financiare, dhe e ktheu atë në një perandori mediatike multi miliarda dollarëshe.

Familja e tij njoftoi se Sulzberger vdiq në shtëpinë e tij në Southempton, në shtetin e Nju Jorkut, pas një sëmundjeje të gjatë.

I biri, Arthur Sulzberger Jr, tha në një deklaratë për të atin, të cilit i referohet me pseudonimin e fëmjirisë Punch, se: “ai ishte një nga drejtorët më të admiruar në industrinë tonë”.

“Punch, kapiteni i vjetër i marinës që nuk u tërhoq asnjëherë përpara luftimeve, ishte një mbrojtës i ashpër i lirisë së shtypit”, tha i biri.

“New York Times” u ble nga gjyshi i zotit Sulzberger Sr, Adolph Ochs në vitin 1896. Gjatë drejtimit të Sulzberger gazeta fitoi plot 31 çmime Pulitzer.

Ai pa një rritje të madhe të qarkullimit të gazetës dhe rriti të ardhurat vjetore të kompanisë nga 100 milionë dollarë në vitin 1963 në 1.7 miliardë dollarë deri në momentin kur u tërhoq, në vitin 1997.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA