Refuzon bashkëshortin, dhunohet nga familja

29/09/2012 21:20

Një histori dhune, përbuzjesh psikologjike dhe rebelimi është ajo e një vajze pakistaneze, që doli kundër rregullave të familjes së saj.

Vajza 19-vjeçare, emigruar në Itali rreth 1 vit më parë, ka refuzuar të kthehet në vendin e origjinës për të martuar bashkëshortin e ardhshëm, që nuk e dashuronte, por që ishte zgjedhur për të nga prindërit.

Por ky refuzim ka shkaktuar tërbimin e këtyre të fundit. Babai e ka mbajtur të mbyllur në shtëpi, e ka ofenduar, e ka rrahur dhe i ka thënë se më 26 shtator do të nisej për në Pakistan dhe se ajo martesë do të bëhej.

Ajo, e dëshpëruar, ia rrëfen ngjarjen një shoqeje, që nga ana e saj lajmëron karabinierët në Salo, në veri të vendit fqinj. Më pas, mëngjesin e 25 shtatorit, vajza vendos t’i drejtohet vetë policisë dhe u tregon atyre për rrahjen, ofendimet dhe mbi të gjitha dhunën seksuale të ushtruar ndaj saj nga një kushëri i së njëjtës moshë.

Kur prindërit zbulojnë se vajza e tyre u ishte drejtuar karabinierëve reagojnë me një dhunë edhe më të madhe. Megjithatë, 19-vjeçarja arrin të mos hipë në avionin që do ta kishte kthyer në atdhe për dasmën.

Mbrëmjen e 26 shtatorit, karabinierët hyjnë në shtëpinë e saj dhe e gjejnë vajzën të mbyllur në një dhomë dhe të kërcënuar me një thikë të madhe. Babai dhe kushëriri i saj janë arrestuar, ndërsa vetë vajza është strehuar në një strukturë të provincës. Autoritetet po zhvillojnë hetime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA