
Pas debateve të ashpra mes opozitës dhe mazhorancës për proçedurën e zgjedhjes së kreut të KQZ-së, Top Channel mësoi se në fillim të javës që vjen mazhoronca do të kërkojë në komisionin e ligjeve që të ndiqet kjo proçedurë:
Nga lista prej 18 aplikantësh të përzgjidhen katër emra, me të cilët do të vijojnë më pas me proçedurat e seancës dëgjimore në komisionin e ligjeve.
Secilit deputet të këtij komisioni iu është shpërndarë një ditë më parë edhe formulari për të përzgjedhur katër emrat. Pas verifikimit në sistem, 4 aplikantët që kanë marrë mbështetjen më të madhe nga anëtarët e komisionit do të thirren prej tij në seancë dëgjimore.
Pas kësaj proçedure komisioni jep mbështjen për dy anëtarë, emrat e të cilëve çohen për votim në Kuvend dhe ai që siguron shumicën e thjeshtë përzgjidhet kryetar i KQZ-së.
Kjo është proçedura që mazhoranca thotë se duhet të ndiqet pasi nuk është e nevojshme të dëgjohen të 18 aplikantët, pasi nuk është detyruese nga Kodi Zgjedhor.
Por pikërisht kjo proçedurë kundërshtohet nga socialistët, kundërshti që solli një ditë më parë edhe incidentin mes Damian Gjiknurit e Ilir Rusmalit.
Sipas socialistëve, në seancë dëgjimore duhet të vijnë të gjithë kandidatët dhe kjo është e detyrueshme nga ligji. PS i referohet këtu pikës 3 të nenit 15 të Kodit Zgjedhor, i cili thotë se:
“Lista e kandidatëve i kalon komisionit të Kuvendit që mbulon çështjet ligjore për të verifikuar përmbushjen e kritereve. Komisioni i shqyrton kandidaturat në përputhje me Rregulloren e Kuvendit”.
Duke shkuar te rregullorja, në nenin 111, pika 7, thuhet se: “Për përzgjedhjen e organeve kushtetuse ose të krijuara me ligj, komisioni për çështjet ligjore shqyrton përmbushjen e kritereve kushtetuese e ligjore dhe meritën e çdo kandidature. Komisioni organizon seanca dëgjimore publike me secilin kandidat”.
Pikërisht këtij neni të rregullores i referohen socialistët kur mbështesin këtë proçedurë të përzgjedhjes së kreut të KQZ-së. Të kontaktuar nga Top Channel përfaqësuesit e opozitës në komisonin e ligjeve thanë se do të mbështesin zbatmin e ligjeve, çka me fjalë të tjera përkthehet në seancë dëgjimore me të gjithë aplikantët.
Ndarjes në qëndrime të palëve i shtohet edhe një tjetër pikë, miratimi në të njëjtën seancë parlamentare të anëtarëve dhe kryetarit të KQZ-së.
Duke iu referuar pikës 1 të nenit 15 të Kodit Zgjedhor, sipas të cilit, “anëtari i shtatë i KQZ-së dhe njëkohësisht kryetari zgjidhet jo më vonë se 10 ditë pasi të ketë përfunduar proçedura e zgjedhjes së anëtarëve të KQZ-së”, socialistët thonë se votimi për të duhet t’i përmbahet afatit ligjor pasi të ketë përfunduar zgjedhja e anëtarëve.
Në këto kushte të thellimit të ndasive për trupën e KQZ-së, nuk është e sigurtë se cila do të jetë rruga e zgjedhjes, por ajo që është e qartë është vetëm tejkalimi i çdo afati për konstituimin e institucionit që do të menaxhojë proçesin e zgjedhjeve të 2013-ës.
Top Channel