Nuk votohet projektligji i Gjykatës së Lartë

27/09/2012 00:00

Pas disa orësh debate mes deputeteve të maxhorancës dhe opozites, me akuza drejtuar njëri-tjetrit për qëndrime anti-konsensuale dhe garës se kush është më shume pro-integrim, projektligji për Gjykaten e Larte ka mbetur sërish pezull.

Projekti që kërkon 3/5 e votave në Kuvend nuk është futur për votim nga kryeparlamentarja Topalli, pas deklarimeve të të gjithe referuesve të PS në këtë seance se nuk do të votojnë pro deri sa të zbatohen vendimet e gjykatave për këshillin e Qarkut Fier.

Opozita, përmes kryetarit të grupit, Gramoz Ruçi, bëri me dije se “janë dërguar në Bruksel vendimet ende te pazbatuara të Gjykatave për çështjen e Fierit, si shembulli më flagrant  i kapjes së drejtësisë nga pushteti dhe si çështje që lidhet drejtëpërsëdrejti me integrimin”.

Në kundërpërgjigje, kreu i grupit demokrat, Astrit Patozi, tha se ky është preteksi i radhës së opozitës për bllokim, duke akuzuar Edi Ramën se nuk arrin të gjeje as pretekse për të qënë.

”Nuk u kërkua as lëmoshë dhe as pazar. U kërkuam një të drejtë që e jep kushtetuta, zbatojeni atë. Është një e drejtë që e jep ligji, zbatojeni. Zbatoni të drejtën administrative dhe të drejtën e marrë nga drejtësia, është një kusht dhe prioritet nga Brukseli që t’i jepet drejëtsisë integritet. Kjo nuk bëhet duke u kapur nga politika, duke zhvilluar kulturën e pandëshkueshmërisë”, deklaroi Ruçi.

”Nuk mund t’i thuash shqiptarëve dhe Bashkimit Europian që nuk do të integrohemi pa zgjidhur problemin e Bubullimës dhe Libofshës, me të gjithë respektin për këto treva. Ky është rasti klasik kur si pretendimi dhe pazari është i ulët e qesharak. Partia Demokratike i këshillon Edi Ramës që kur nuk gjen pretekste të zgjuara, le të pyesë Ben Blushin apo vetë Harasanin, që është larguar nga kryesia e PS-së”, replika e kreut të grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi.

Nuk ka ndodhur njësoj me ligjin për profesionin e avokatit. Ai është miratuar me 124 vota pro.

Rregullimi ligjor u heq mundësine avokatëve të bllokojnë apo zvarrisin procese gjyqësore siç ka ndodhur rëndom, duke sjellë në shume raste edhe dështimin e proceseve të rendesishme, ka gjetur mbeshtetjen me votë tek të dyja palet.

Ndërsa me 71 vota pro, 53 abstenim dhe asnjë kundër u miratua gjithashtu ligji për organizimin dhe funksionimin e administratës.

Top Channel